×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Tenderuesi i madh i Prizrenit që shkatërroi tokën e shtetit

    Insajderi
    14 March 2023 - 16:10

    Kompania “SEDTOURS SH.P.K.”, e cila është në pronësi të afaristit Almir Gashi më mënyrë të jashtëligjshme ishte duke shfrytëzuar/keqpërdorur tokën e NSH “Zhupa Reqan” në Prizren, derisa pavarësisht këtij fakti arriti që të nënshkruante një kontratë me AKP-në. Kështu thotë zyra e auditorit përmes raportit të fundit ku sipas tyre AKP ka mungesë totale të kontrollit të qirave të aseteve të shtetit. Nga ama tjetër, përfaqësuesit e kompanisë thanë dhënë Insajderin një version tjetër të historisë.

    Zyra e Auditimit, përmes raportit të fundit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka ngritur alarmin për keqpërdorim të aseteve të Ndërmarrjeve Shtetërore. Përmes këtij raporti, Auditori ka identifikuar mangësi në procesin e dhënies me qira të aseteve si dhe në menaxhimin e kontratave nga ana e AKP-së.

    Të gjeturat tregojnë se si është shfrytëzuar ilegalisht toka e Ndërmarrjes Shtetërore “Zhupa Reqanë – Prizren” nga qiramarrësi “SEDTOURS SH.P.K.”, e cila është në pronësi të afaristit Almir Gashi.

    Në raport thuhet se toka e dhënë me qira për shfrytëzim afarist është përdorur edhe për eksploatim të gurit gëlqeror. Gazeta Insajderi ka kërkuar nga AKP qasje në kontratën mes NSH “Zhupa Reqanë” dhe “Sedtours”.

    Në kontratën që ka siguruar gazeta, nuk bëhet e ditur nëse qiramarrësi ka të drejtë të shfrytëzoj tokën për abuzim me gur gëlqeror.

    Në kontratë thuhet se qiramarrësi është i obliguar të paguaj shumën prej 548.64 euro për një vit kalendarik për token afariste që gjendet në fshatin Reqanë – Prizren me sipërfaqe prej 54864m2.

    Kush është kompania “Sedtours” që po dyshohet se shkatërroi tokën e shtetit

    Kompania “SEDTOURS NTSH” , që nga viti 2016 ka në shfrytëzim tokën afariste të NSh Zhupa Reqanë – Prizren me sipërfaqe prej 5.486 hektar me çmim prej 100€ për hektar për një vit apo 54,864m2 me 0.01€/m2 (5.4864*100=548.6€).

    Sipas raportit të auditorit, kjo kompani ka qenë duke e shfrytëzuar në mënyrë ilegale që nga viti 2005 këtë parcelë.

    Mirëpo, Gazeta Insajderi ka kontaktuar përgjegjësin e kompanisë për të dhënë versionin e tyre lidhur me të gjeturat e auditorit.

    Menaxheri i kompanisë, Rezhep Gazhi tha për Insajderin se të gjeturat e auditorit nuk janë të bazuara, Sipas tij, kompania posedon license për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në këtë parcelë.

    “Prej vitit 2000 kam licencë për shfrytëzimin e gurit. Për me dashtë me marr një licencë duhet me pronarin me pas kontratë. Përpos kontratës duhet me pas pëlqimin prej pylltarisë – e kemi. Planin për rikultivim, 35 mijë euro janë të depozituara– e kemi. Pëlqimet një vjeçare – i kemi. Lejen mjedisore – e kemi, Licencë me afat- e kemi. Na e shfrytëzojmë tokën, pronari e merr vetëm qiranë. Me pronarin ne e kemi kontratën që e paguaj qiranë për AKP’në.

    “Kam licencë për eksploatimin gurit gëlqeror. Mua me vjen keq për këto të gjetura sepse nuk ka asnjë shkelje, ata nuk I kanë argumentuar se çfarë shkeljesh janë. Mozamakqe për neve ku jemi tu jetu” tha Menaxheri i firmes, Rexhep Gashi.

    AKP nënshkroi kontratë me kompaninë që po e shfrytëzonte jashtëligjshëm pronën

    Sipas të gjeturave të auditorit, me kontratë të qiradhënies, kjo parcelë ishte dhënë për shfrytëzim afarist, mirëpo qiramarrësikishte bërë eksploatimin e gurit gëlqeror. Edhe pse AKP kishte pasur njohuri që ky qiramarrës kabërë eksploatimin e gurit, në marrëdhënien kontraktuale për qëllim të shfrytëzimit afarist të tokës,nuk kishte shqyrtuar edhe eksploatimin e gurit gelqeror.

    “AKP më 25.08.2016 përmes negocimit direkt e kishte dhënë me qira tokën afariste (ngastra kadastrale nr.154) të NSh Zhupa Reqanë – Prizren me sipërfaqe prej 5.486 hektar me çmim prej 100€ për hektar për një vit apo 54,864m2 me 0.01€/m2 (5.4864*100=548.6€)”, thuhet në raport

    ZKA tregon se AKP-ja negocio me këtë biznes ani pse i njëjti, të njëjtën tokë, e kishte shfrytëzuar për më shumë se 10 vite ilegalisht

    “Procedura e negocimit direkt ishte aplikuar pasi që ky qiramarrës ka qenë duke e shfrytëzuar në mënyrë ilegale që nga viti 2005 këtë parcelë”, thuhet në këtë raport

    Si e shkatërroi tokën e shtetit qiramarrësi i AKP-së?

    Me rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate, sipas ZKA-ës. qiramarrësi ishte pajtuar që për shfrytëzimin ilegal të paguante qiranë për 10.5 vite nga Tetori 2005 deri në Prill 2016 për 0.69 hektar të kësaj parcele.

    “Mirëpo sipas ortofotove të siguruara nga geoportali i Agjencionit Kadastral të Kosovës kemi vërejtur se në vitin 2004 ky qiramarrës ka qenë duke i shfrytëzuar 1.11 hektar, në vitin 2009 ka qenë duke i shfrytëzuar 2.40 hektar, në vitin 2012 ka qenë duke i shfrytëzuar 3.4 hektar dhe jo 0.69 hektar ashtu siç është nënshkruar marrëveshja”, alarmon ZKA

    Sipas këtij raporti,  “SedTours” në vitin 2000 kishte të nënshkruar një marrëveshje për ngastrën kadastrale nr. 154 me Komunën e Prizrenit për eksploatimin e rërës dhe zhavorrit ku ishte përcaktuar çmimi i eksploatimit për çdo m3 në vlerë 2 marka.

    “Qiramarrësi kishte licencë nga KPMM për eksploatim të gurit gelqeror për periudhat 2005-2017 dhe 2016-2025 por kjo e fundit ishte pezulluar me 05.09.2022 nga KPMM me arsyetimin se qiramarrësi nuk e ka sjellë Kontratën/Aneksin e Kontratës për vazhdimin e shfrytëzimit të pronës me pronarin e tokës – AKP”, thuhet në raport.

    Në bazë të raporteve të siguruara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale për periudhën 2012-2021 kishte eksploatuar 337,765m3 gurë gëlqeror ndërsa AKP për këtë pronë kishte arkëtuar të hyra nga qiraja në vlerë totale  vetëm 4,511 euro.

    ZKA në fund të raporti për këtë kontratë zbulon edhe shkatërrimin e kësaj toke të shtetit deri në nivelin sa nuk mund të kthehet në gjendjen e mëparshme.

    “Neni 2.3 i kontratës në mes të AKP dhe qiramarrësit përcakton se: qiramarrësi është i obliguar dhe pajtohet që të mirëmbajë tokën afariste në atë gjendje ekzistuese që ka qenë në fillim të periudhës fillestare”, thuhet në raport, por bëhet me dije edhe se  “duke pas parasysh eksploatimin e gurit gëlqeror pothuajse është e pa mundur të kthehet në gjendjen fillestare”.

    Tenderët që fitoi “SedtTours” nga Komuna e Prizrenit

    Edhe pse ZKA ngrit alarmin që kompania e vëllezërve Gashi ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm në tokën e shtetit që gjendet në komunën e Prizrenit, administrata e atjeshme e ka për një kohë të gjatë “SedTours” SHPK si kompani që e shpërblejnë me tenderë.

    Vetëm në një kërkim tek projektet që janë listuar në faqen e komunës, “Sedtours” është shpërblyer me mbi disa tendere.

    Disa nga projektet në të cilat “SedTours” SHPK është shpërblyer nga Komuna e Prizrenit janë kryesisht me ndërtimin e infrastrukturës rrugore në disa lagje të Prizrenit, furnizimin me zallë, mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës, ndërtimi i rrugëve lokale, rehabilitimi dhe riparimi i rrugëve fushore, etj.

    Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark