×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Tensione në Veri | Bislimi takon Von Cramonin, tregon çfarë biseduan

    Insajderi
    29 May 2023 - 18:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë ditës ka pritur në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    Por në komunikatën e dërguar nga Qeveria, nuk tregohet se çfarë ka deklaruar Von Cramon. Në komunikatë thuhet se në lidhje me situatën në veri, është ritheksuar se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

    “Si kryetarë tё komunave, ata mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

    Në fillim të takimit, komunikata thotë se u shpreh mirënjohja për punën e Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE.

    “Raportet e fundit të publikuara, siç është edhe ai i PE-së për Kosovën, përmbante mesazhe pozitive për vendin dhe vlerësime në integrim evropian, ekonomi, financa, agjendën legjislative e arsim ndër shumë fusha të tjera të përfshira. Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës, e cila ecën paralelisht dhe me vizionin e vendit tonë drejt BE-së dhe suportin e qytetarëve të Kosovës ndaj integrimit në BE”, thuhet tutje në njoftim.

    Zëvendëskryeministri Bislimi, njoftohet se ka theksuar se institucionet tona janë të maturuara, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces.

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, sot gjatë ditës u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin njësitete speciale të Policisë nga veriu dhe të ulen në tavolinën e negocimit.

    Von Cramon ka thënë se mënyra e vetme për të zgjidhur situatën është dialogu dhe në mënyrë konstruktive.

    Von Cramon ka thënë se Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me “manovrat në veri”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark