Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka kritikuar dy ish-kryeministrat e Kosovës, Avdullah Hotin dhe Ramush Haradinajn.
Dugolli ka thënë se njëri nga ta e paraqet qeverinë si problem, ndërsa tjeri flet sikur mos të kishe republikë.
“Të dy këta persona, kanë qenë Kryeministra të Republikës. Njëri duke pritë 6 orë Listen Serbe për formimin e Qeverisë. Tjetri, që përgjigjej serbisht në Bruksel”, ka shkruar Dugolli në Facebook, përcjell Insajderi.
Postimi i plotë:
Dy ish-kryeministra të Republikës së Kosovës, një pas një po deklarohen se edhe pse Kosova është në të drejtën e saj, për shkak të presionit, që burim ka Serbinë, duhet të tërhiqet dhe të lëshojë pe.
Njëri, e paraqet Kryeministrin Kurtit si problem të sigurisë pa e thënë asnjë fjalë për kërcënimet e Vuciqit dhe veprimet e grupeve kriminale në veri.
Tjetri, flet për vitet e ’90 dhe për periudhën e para pavarësisë kur nuk ka pasur institucione të Republikës sikur të jetë situatë e njëjtë edhe sot në vitin 2022.
Pra, njëri e paraqet Qeverinë e Republikës së Kosovës si problem. Tjetri, flet sikur mos të kishte Republikë.
E përsëris edhe një herë. Të dy këta persona, kanë qenë Kryeministra të Republikës. Njëri duke pritë 6 orë Listen Serbe për formimin e Qeverisë. Tjetri, që përgjigjej serbisht në Bruksel.
Meqë e kemi parë se si na kanë përfaqësuar deri tash, imagjinoni se si do ishim po të ishin ende në ato pozita.