×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Terminal në këmbim të votës – Si kishte fituar terminal familja e Margarita Kadriut?

Insajderi
10 October 2022 - 14:52
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Para shtatë vitesh Gazeta Insajderi, pati zbuluar se si qeveria e atëhershme që përbëhej nga koalicionit PDK-LDK, pati ndryshuar bazën ligjore për licencimin e terminaleve. Ky ndryshim ishte bërë me qëllim që t`i përshtatej kompanisë “City Park”, në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriut. Atëkohë Margarita ishte deputete, dhe një votë e saj ishte e rëndësishme që Hashim Thaçi të bëhej president i vendit

Margarita Kadriu, e cila përveç se deputete ishte edhe nënkryetare e PDK-së para shtatë vitesh.  Atë kohë nihej si kritikuese e ashpër e Isa Mustafës që mbante pozitën e kryeministrit, por pikërisht në qeverisjen e tij familja e saj përfitoi shumë nga Mustafa.

Kompania “City Park”, që drejtohej nga babi i Margaritës, Ruzhdi Kadriu kishte marrë licencë për hapjen e një Terminali Doganor, shkruan Gazeta Insajderi.

Fillimisht u ndryshua baza ligjore, e pastaj vendimi për dhënien e licencën për hapjen e terminalit u nënshkrua nga Ministri i Infrastrukturës, në atë kohë Lutfi Zharku.

Kriteret e përcaktuara në udhëzimin e vjetër për terminale të vitit 2013, ishin të paarritshme për këtë kompani. Por pushteti, bëri lehtësira.

Kërkohej që aplikuesi të ketë plato të hapur prej 10 mijë metrash katrorë dhe depo prej 2 mijë metrash katrorë. 

Kërkohej gjithashtu që aplikuesi të ketë leje ndërtimore të lëshuar nga autoritetet komunale si dhe të ketë minimum 50 parkingje.

Në dhjetor të vitit 2015 u nxorr udhëzimi i ri administrativ për licencimin e terminaleve, duke zbutur këto tri kriteret, të cilat pastaj mund të plotësoheshin nga kompania “City Park”, shkruan Gazeta Insajderi.

Ky privilegj për familjen Kadriu, i ishte bërë nga shteti pas votës pro zgjedhjes së Hashim Thaçit  si President i Kosovës.

Kështu familja Kadriu në vitin 2016 u bë me terminal të mallrave.

Pas përfundimit të mandatit si deputete Margatita Kadriu u largua nga politika. Por doli e fituar nga privilegjet e shtetit – terminal familjar të mallrave.

Krejt kjo ngjarje është rikthyer në skenë sot nga Levizja Vetëvendosje e cila ka shpërndarë një video montazh rreth terminaleve në vend.

Në videon 2 minutëshe të LVV, përmendet terminalet e djemve të Isa Mustafës, Devollëve teksa paraqiten fotografitë e Shkëlqim e Blerim Devollit, Sami Lushtakut e Margarita Kadriut.

“Ju kujtohet se si një deputete pati fituar Terminal Doganor në këmbim të votës”, thuhet qysh në fillim të videos së VV-së për terminalet.

Lëvizja Vetëvendosje, e njohur për shpërndarje të propagandës, sulme e etiketime të njerëzve që nuk pajtohen me liderin e tyre, ka nisur një formë tjetër të sulmeve në përpjekje për të mbuluar dështimet e qeverisë Kurti II.

Përmes disa video montazheve, VV ka nisur akuzuat e etiketimin e personave të ndryshëm sidomos politikanëve e drejtuesve të opozitës – për dështim të shtetit.

Kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqin e kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn, Vetëvendosje i lidhi me llogon e Devolli Corporation – që e kanë në pronësi terminal doganor, pikërisht në videon ku flisnin për terminalet në vend.

Më tej në këtë video akuzohen kryetarët e partive opozitare se do “bërtasin edhe më shumë kur do të fillojë së shpejti konfiskimi i pasurisë së paligjshme e vetingu në drejtësi”.

Por, i vetmi politikan që publikisht është përmend si përfitues i parave kesh të vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli – është Albin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

Ish-bashkëpartiaku i Kurtit, Florin Krasniqi disa herë publikisht kishte treguar se si është financuar Vetëvendosje nga Devollt.  Dhe se parët nuk i kishin shkuar përmes zyrtarëve. Por në duar të Albin Kurtit.

Rrëfimi i tij, i ripërsëritur tregon në detaje momentet e takimit mes Kurtit e vëllezërve Devolli që është zhvilluar në restorantin e tij. Ky takim sipas Krasniqit ka ndodhur gjatë vitit 2011, ku sipas tij Albin Kurti ka kërkuar mbështetje financiare nga Devollt.

Madje, sipas Krasniqit, shuma që kishte kërkuar Albin Kurti nga biznesmenët e njohur ishte 20 mijë euro – 10 mijë nga të cilat Krasniqi thotë se Kurtit i erdhën në tavolinë gjatë takimit. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark