Insajderi
Lajme

“Termine, fatura fiktive, bileta”, si arriti Valmir Hajrullahu t’ia zhvatë 130 mijë euro një personi për “shërim jashtë vendit”

Insajderi
21 February 2026 - 15:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Termine, fatura fiktive, bileta”, si arriti Valmir Hajrullahu t’ia zhvatë 130 mijë euro një personi për “shërim jashtë vendit”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Valmir Hajrullahu, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona të tjerë, ka mashtruar një qytetar duke i përfituar kundërligjshëm mbi 130 mijë euro.

Shfrytëzimi i sëmundjes: Si u realizua “kurthi” mjekësor?

Sipas dosjes Valmir Hajrullahu nuk ka vepruar vetëm. Në ketë skemë ishin përfshirë edhe Avdyl Kryeziun dhe shtetasin turk Yilmaz Tassoker.

Hajrullahu dyshohet se u paraqit para viktimës me petkun e mjekut.

Për ta bërë mashtrimin sa më të besueshëm, grupi kishte përgatitur dokumentacion të falsifikuar që përfshinte: Termine fiktive për ekzaminime mjekësore. Rezervime biletash avioni për udhëtime “shëndetësore”. Fatura të falsifikuara dhe komunikime zyrtare përmes email-eve.

“I pandehuri, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, është paraqitur si mjek, duke shfrytëzuar kështu gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit… duke kërkuar në vazhdimësi deponimin e shumave të ndryshme të parave nga i dëmtuari dhe familjarët e tij,” thuhet ne dosjen e prokurorisë që ka siguruar Insajderi.

Shuma prej 134,000 eurosh u mor përmes transaksioneve të njëpasnjëshme, ku i dëmtuari, i gjendur në situatë të vështirë shëndetësore, paguante për shërbime që në fakt nuk ekzistonin.

Prokuroria ka siguruar si provë përshkrimin tabelar të të gjitha këtyre pagesave, së bashku me një CD që përmban video-incizime të dorëzuara nga viktima.

Hetimet kishin filluar në shtator të vitit 2023, por ishin pezulluar përkohësisht në fund të vitit 2024, pasi Prokuroria kishte kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e Turqisë për verifikimin e dokumenteve dhe të kaluarës kriminale të të dyshuarve.

Hajrullahu ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë që nga koha e kryerjes së veprës, duke qëndruar në arrati deri më 20 shkurt 2026, kur edhe është vetëdorëzuar në polici.

Arsyetimi për paraburgim

Prokuroria ka argumentuar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm, duke vlerësuar se nëse i pandehuri lihet i lirë, ekziston rrezik i lartë i ikjes.

Gjithashtu, aty përmendet siguria e dëshmitarëve.

“I dëmtuari dhe dëshmitarët kanë deklaruar se janë të frikësuar dhe ndihen të shqetësuar nga i pandehuri, andaj ekziston rreziku se ai do të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar tek ata”.

Njoftimi i policisë për rastin

Policia ka njoftuar se dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë mashtruar një burrë me premtimin se do ta dërgojnë jashtë vendit për shërim duke ia marrë 130 mijë euro.

Ngjarja ka nisur më 2023 në Lipjan e Malishevë.

Me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

“Lipjan, Malishevë 2023 – NN. Më datë 20.02.2026 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kishin mashtruar viktimën, ku kanë arrit të dëmtojnë në vlerë prej 130.000€, duke premtuar se do të dërgojnë jashtë shtetit për shërim. Si prova materiale janë sekuestruar dy telefona mobil, dy kartela të spitaleve dhe një kartel bankare”, thuhet në raport./insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark