Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Termkolli, iu ka sulur televizioneve në Kosovë pas tentim atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Termkolli me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka akuzuar televizionet se s’po e përcjellin rastin e Trump, kandidatit republikan për president të SHBA’së, shkruan Gazeta Insajderi.
Madje, Termkolli ka shkuar larg, duke pretenduar se televizionet “janë të shitur te Sorosi”.
“Turp për të gjitha televizionet e Kosovës! Asnjë nuk u mor deri tash dhe as që po merret me ngjarjen e rëndë që ndodhi në SHBA, mikja e aleatja më e madhe e Kosovës dhe shqiptarëve, me tentim vrasjen ndaj ish- Presidentit Trump dhe kandidat për President në zgjedhjet e sivjetme! Janë të shitur të gjithë te Soros, apo janë të pandjeshëm e jo profesionalë ndaj një situate të tillë?!”, thuhet në postimin e saj.
Trump është plagosur në vesh si pasojë e një tentim atentati përgjatë një tubimi elektoral në Pensilvani të SHBA’së dje.
Në vendngjarje është neutralizuar sulmuesi, teksa një person pjesëmarrës në tubim ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Autoritetet amerikane të sigurisë e kanë identifikuar atentatorin, i cili ishte i moshës 20-vjeçare. /Insajderi.org/