×
Aktuale

Testet nga Serbia – Shtatë muaj pas pranimit ministria tregon se a u përdorën ato

Insajderi
15 October 2020 - 16:25
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Xheneta Uka

Janë bërë shtatë muaj që kur në Kosovë kanë ardhur 1000 teste për Covid-19 si donacion nga Serbia, mirëpo këto teste ende nuk janë përdorur nga Ministria e Shëndetësisë.

Arsye e mos shfrytëzimit të këtyre testeve sipas Ministrisë së Shëndetësisë është se Kosova ka mjaftueshëm teste për Covid-19.

“Jo nuk janë shfrytëzuar pasi ka mjaftueshëm”, thuhet në përgjigjet e MSH-së për Insajderin.

Pranimi i këtyre testeve nga ish-qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ishte kritikuar ashpër derisa dhurimi i tyre nga qeveria e Serbisë ishte pranuar si ndihmë në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit.

Ndonëse, janë bërë tetë muaj që kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit Ministria e Shëndetësisë ka siguruar qytetarët se ka mjaftueshëm teste për Covid-19 në stok edhe për kundër rritjeve të rasteve javëve të fundit.

Vetëm gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë ka pranuar një donacion prej 100 mijë testeve molekulare për COVID-19 dhe pajisje të tjera përcjellëse nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur-KFOS.

Aktualisht Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion 130 mijë 000 teste për Covid-19, për qytetarët.

Kostoja e tyre kapet vlerën 1.5 milion euro, kishte deklaruar ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj.

“Donacioni është kontribut i çmueshëm në rritjen e fuqisë testuese për diagnostikimin e infeksionit COVID-19 në Kosovë, për çka e falënderoj zotin Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS), si dhe kryeministrin [e Kosovës] Avdullah Hoti për angazhimin e pakursyer për dhe rreth këtij donacioni, duke e iniciuar dhe realizuar atë”, kishte shkruar Zemaj.

Sipas MSH-së, edhe në ditët në vijimë pritet të vijën edhe teste të tjera.

“IKSHPK ka në stok teste të mjaftueshme për testime molekulare edhe për disa muaj. Vetëm dje janë pranuar mbi 100 mijë të tilla, plus që ka pasur edhe të tjera dhe që do të ketë edhe ditëve në vijim”, thuhet në pergjigjet e MSH-së dhënë Insajderit.

Testet për Covid-19 me të cilat testohen çdo ditë qytetarët e Kosovës, vijnë nga shtetet si Gjermania, Britania e Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera evropiane.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, janë testuar gjithsej 77 mijë 272 persona për koronavirus.

Aktualisht, numri i rasteve pozitive qëndron në 16 mijë 502, i viktimave në 650 dhe i të shëruarve në 14 mijë 519. /GazetaInsajderi/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark