×
  • Lajme
  • Insajderi

    Tetori i vitit 2021, hera e fundit kur janë kontrolluar mostrat e Astrit Deharit në institut

    Insajderi
    08 December 2022 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka deklaruar se të mërkurën mbrëma është njoftuar nga drejtoresha e Laboratorit Toksikologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore se mostrat e rastit të Astrit Deharit nuk janë në vendin e tyre.

    Siç tha ministrja Haxhiu, kjo ishte vërejtur derisa po i bartnin mostrat nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj. Ndërsa të gjitha rastet kanë kod dhe dikush nga jashtë nuk mund të ketë qasje brenda e që sipas saj dyshimet janë se këtë kanë mundur ta bëjnë zyrtarët që kanë qasje.

    Por nuk dihet koha se kur kanë mundur të zhduken këto prova.

    Sipas ministres Haxhiut, hera e fundit kur janë kontrolluar ato ka qenë tetori i vitit 2021, shkruan Insajderi.

    “Sipas informacioneve që nga tetori i vitit 2021, nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat aty, sepse kështu e kanë sistemin. Tek dje në momentin që e kanë dashur të bëjnë bartjen e mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj e kanë kuptuar që mungojnë”.

    “Nuk dihet kur ka ndodhë. Ne pyetëm për kamerat e sigurisë, sepse aty ka kamera por ju e dini që vetëm një muaj sipas informacioneve që na u thanë nuk mund të qëndrojnë më shumë pamjet”, tha më tej ajo.  

    “Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj, por jam e bindur që ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi”, deklaroi ministrja Haxhiu.

    Tërë kjo situatë sipas ministres Haxhiu, vendosë hije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos hije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Jo vetëm për të tashmen, por veçanërisht në atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet, kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Por, në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë, as nuk zbrapsen nga protokolli dhe ndalesat ligjore e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale”, shtoi Haxhiu.

    Më tej, ministrja Haxhiu tha se nuk ka gjurmë se dikush nga jashtë e ka kryer këtë akt kriminal.

    “Nuk ka thyerje të derës, nuk ka thyerje të vendit ky hyn çelësi. Asnjë dyshim në raport me forcën që është përdorur për ta kryer një akt të tillë kriminal. Prandaj, po them që dikush nga zyrtarët përgjegjës, një person, dy, tre, kushdo qofshin ata, janë përgjegjës për këtë akt kriminal”, ka vijuar Haxhiu. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark