Në kuadër të Tetorit Rozë, QKMF-ja e Mitrovicës dhe KosovaMed Healthcare bashkojnë përpjekjet për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, duke rikujtuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të kujdesit shëndetësor për të gjithë.
KosovaMed Healthcare po vazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj në shërbim të qytetarëve, duke ofruar shërbime shëndetësore falas, me theks të veçantë te mbështetja për pacientët që përballen me sëmundje të rënda, përfshirë sëmundjet kancerogjene.
Në kuadër të muajit Tetori Rozë, që i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, në bashkëpunim me KosovaMed Healthcare, ka organizuar një aktivitet ndërgjegjësues për qytetarët.
Gjatë këtij aktiviteti, qytetarëve iu ofruan këshilla shëndetësore dhe u kryen matje të shenjave vitale, ndërsa grave iu bë thirrje që të mos i neglizhojnë kontrollet e rregullta dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore me kohë.
Përtej aktiviteteve ndërgjegjësuese, rëndësi të veçantë ka edhe vazhdimësia e shërbimeve për qytetarët në nevojë. Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Albina Kastrati Rama, ka bërë të ditur se qytetarët që vuajnë nga sëmundje të rënda, përfshirë kancerin, mund të përfitojnë shërbime profesionale dhe kujdes paliativ falas, përmes KosovaMed-it, në mbështetje të pacientëve dhe familjeve të tyre.
Vazhdimi i ofrimit të shërbimeve falas përmes KosovaMed Healthcare mbetet një mbështetje e rëndësishme për qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, veçanërisht për pacientët me sëmundje të rënda, të cilët kanë nevojë për përkujdesje profesionale, dinjitet dhe mbështetje në çdo fazë të përballjes me sëmundjen.