Sot kur janë bërë 17 vite nga përfundimi i bombardimeve të NATO-s, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se 10 qershori është ditë e kthesës për Kosovën.
“Dita e 10 qershorit 1999 ishte ditë e kthesës së madhe për popullin tonë. Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë. Mbi themelet e kësaj dite kemi ndërtuar shtetin tonë”, ka thënë Thaci.
Sipas tij, 17 vjet më pas, Kosova është në rrugë të mbarë për të jetësuar aspiratat “për një Kosovë anëtare të BE-së dhe NATO-s.
“Të bashkuar si 17 vjet më parë, ne duhet ta rikthejmë entuziazmin dhe ta transformojmë atë në zhvillim të vendit dhe në mirëqenie të qytetarëve” ka shkruar ai në Facebook.
Dhjetë qershori i viti 1999 shënon edhe fundin e luftës së Serbisë nga Kosova, pas 78 ditësh të bombardimeve ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan mbi 37 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it nga 36 shtete.