Kryediplomati kosovar, Hashim Thaçi ka pasur agjendë të ngjeshur gjatë së enjtes. Mes punëve të ndryshme, sot ai ka pasur edhe një takim me homologun nga Austria, Sebastian Kurz. Ata janë takuar shpesh gjatë vitit të kaluar, sidomos pas eksodit të madh të shqiptarëve drejt Austrisë dhe vendeve të tjera evropiane.
Takimi i sotshëm ishte planifikuar të mbahej në orën 17:15 ku dy ministrat e Punëve të Jashtme do të diskutonin për raportet mes Austrisë dhe Kosovës, por Kurzit i është dashur të pres dy orë për ta takuar Thaçin.
Edhe pse Thaçi është ministër i Punëve të Jashtme dhe fokusi i tij do të duhej të ishte diplomacia, ai është angazhuar jashtëzakonisht në punët e brendshme, sidomos ato partiake.
Bazuar në agjendën e Thaçit, ai do të duhej ta takonte homologun e tij dhe më pas të shkonte drejt Skenderajt dhe Mitrovicës.
Por e ka bërë të kundërtën. Thaçi e ka shtyrë takimin me Kurz për në orën 19:00 pasi në orën 18:00 sipas agjendës ai ka qenë në Mitrovicë për të marrë pjesë në një tubim me anëtar dhe simpatizant të Partisë Demokratike të Kosovës. Më hëret ishte në Skënderaj, me po të njejtin punë, tubim partiak.
Krejt ky ndërrim i agjendës sipas zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka ndodhur me pajtimin e të dyja palëve.
“Thaçi dhe Kurz janë takuar më shumë se 5 herë dhe njihen mirë andaj janë marrë vesh që të takohen në atë kohë, orën 19:00”, tha Selimi.
Kur u pyet nëse kjo shtyrje e takimit ka ndodhur për shkak të agjendës partiake të Thaçit, Selimi u përgjigj shkurt duke thënë të mos e dijë arsyen e shtyrjes së takimit.
“Nuk jam asistent i Thaçit për me e ditë këtë gjë. Jam zëvendësministër”, tha Selimi.
Por për analistin Imer Mushkolaj, ky veprim i Thaçit, paraqet papërgjegjësi e joseriozitet.
“Kjo tregon se çështjet partiake janë më të rëndësishme sesa ato shtetërore dhe se Thaçi e ka tashmë mendjen si të bëjë fushatë parazgjedhore në vend që të kryej punën që i takon, si ministër i Jashtëm”, tha Mushkolaj.
E kur Thaçi e Kurz u takuan, dolën në konferencë për media ku, kryediplomati austriak tha se për Kosovën është e rëndësishme vazhdimi i dialogut me Serbinë.
Kurz u mor edhe me krizën politike në Kosovë, duke bërë apel të gjithëve “që të heqin dorë nga dhuna e të përcaktohen për dialog demokratik, se dhuna nuk është zgjidhje e duhet të dënohet e opozita duhet në një mënyrë demokratike të punojë me Qeverinë”.