Kandidati më serioz për t’u bërë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është fare i shqetësuar për kundërshtimin e opozitës dhe insiston se zgjedhja e presidentit do të ndodhë në një proces të mirëfilltë politik.
Për më tepër, Thaçi vlerëson se ka konsensus të gjerë politik që ai të bëhet presidenti i pestë i vendit.
“Koalicioni që e mbështet këtë kandidaturë është shumë solid dhe përbën shumicën dërrmuese të Parlamentit. Pra, bëhet fjalë për një konsensus të gjerë” ka thënë Thaçi në intervistën e dhënë për gazetën Shqip.
Në ditët e ardhshme pritet që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në një seancë ku do të bëhet zgjedhja e presidentit të Kosovës. Gjasat janë që kjo seancë të mbahet në njërën nga sallat alternative të kuvendit, marrë parasysh insistimin e partive opozitare që të bllokojnë procesin.
Por, Thaçi thotë se zgjedhja e presidentit do të bëhet përmes një procesi të rregullt.
“Ju garantoj se procesi ka për të qenë transparent dhe i besueshëm, duke i siguruar Kosovës një president që përmbush standardet më të larta të legalitetit dhe legjitimitetit”, ka shtuar ai.
Insajderi ka raportuar sot gjatë ditës se seanca për zgjedhjen e presidentit do të thirret në javën e fundit të muajit shkurt./Insajderi.com