Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e tretë për nismën për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtim , me anëtarë të shoqërisë civile ka deklaruara se shikimi kah e ardhmja e vendit përmes pajtimit është nisma e parë në rajon dhe shembull për të gjithë.
Para shoqërisë civile, presidenti Thaçi ka prezantuar edhe draftin e projekt-rregullores me të cilin do të dekretohet themelimi i këtij komisioni, duke siguruar se komisioni do të jetë i udhëhequr nga kosovarët dhe i përshtatur për nevojat e Kosovës.
“Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtim është i pari në rajonin tonë. Kjo nuk do të thotë se do të harrojmë atë që ka ndodhur. Ai do të hartojë kujtime të përbashkëta të luftës. Po punojmë që të ndërtojmë kapacitete për të ruajtur paqen që kemi ndërtuar”.
“E dimë se ku dëshirojmë të arrijmë. Po ecim me hapa të sigurt drejt NATO dhe BE. Vlerat që promovon Kosova e bëjnë sot jo vetëm të pranueshme, por edhe shembull që duhet promovuar. Jemi krenarë për këtë gjë. Ky komision është një nga themelet e kësaj shtëpie që po ndërtojmë; shembull për rajonin dhe më gjerë”, ka deklaruara Thaçi.
“Jam i sigurt që pajtimi ndëretnik në Kosovë do të ndodhë”, tha Thaçi. /Insajderi.com