×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Nuk më ndalin bllokadat, do të bëhem president

    Insajderi
    05 February 2016 - 14:42

    As bllokimet e seancave dhe as protestat nuk do të arrijnë të më ndalin për t’u bërë president i Kosovës.  Kështu ka thënë sot Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili është kandidati më serioz për të zëvendësuar Atifete Jahjagën në presidencë.

    Këto komente Thaçi i ka bërë gjatë një konferencë të mbajtur së bashku me Kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin ka nj marrëveshje koalicioni që i garanton atij përkrahjen e partisë së Mustafës, LDK-së.

    Thaçi ka thënë se në rast se edhe LDK dhe PDK do të vepronin sipas logjikës së opozitës sa i përket numrave në protesta, atëherë këto dy parti do të mund të mblidhnin një milion njerëz në sheshet e Kosovës, raporton Klan Kosova.

    Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës pritet të ndodhë brenda disa javëve.  Kandidatura e Thacit për president është duke u kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat kanë ftuar për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.  Po ashtu, edhe disa nga deputetët e LDK-së kanë thënë publikisht se nuk do të japin votën e tyre për Thaçin.

    Ditëve të fundit është raportuar se partitë e koalicionit kanë filluar takimet me deputetët e tyre, në mënyrë që të bindin të gjithë që të mundësojnë zgjedhjen e Thaçit si të parin e shtetit.

    Në një konferencë tjetër të mbajtur para disa ditëve, Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka folur për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas tij, do të ofrojnë në këtë proces.

    Ai ka theksuar se ShBA-të mbështesin vullnetin e qytetarëve të Kosovës për presidentin e ri, duke iu referuar kështu marrëveshjes së koalicionit qeverisës.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës në një proces të rregull kushtetues dhe me transparence maksimale.  ShBA-të mbështesin vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe kushtetutshmërinë,” ka thënë Thaçi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2023 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark