“Shpresoj që të kemi një fuqizim të dialogut, me prioritete më të larta politike në të ardhmen e afërt mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultonte edhe me një traktat apo marrëveshje të paqes, fqinjësisë, miqësisë dhe pajtimit”, ka shprehur presidenti Thaçi.
Gjithashtu Presidenti Thaçi ka theksuar se dialogut po i kontribuojnë edhe të rinjtë në Kosovë e Serbi dhe se një forum i tillë është shpresëdhënës se dy shtetet dhe popujt do ta tejkalojnë konfliktin qindra vjeçar.
“Përmes nismave të tilla, të rinjtë në dy shtetet kanë ecur shumë më përpara se politika. Ju jeni zotuar që ta ndërtoni një të ardhme të sigurt evropiane të bashkëpunimit, zhvillimit dhe mirëqenies në mes qytetarëve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti është pyetur edhe për të pagjeturit shqiptarë, serbë dhe të komuniteteve tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai ka thënë se nuk dëshiron që vendi të mbetet peng i historisë, por të kemi një bazë të fuqishme që të ndërtojmë një të ardhme të sigurt të bashkëpunimit.
“E kaluara jonë 100 vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë me probleme, konflikte, armiqësi dhe me urrejtje. Dhimbja është e njëjtë për atë që i është vrarë burri, pa dallim etnie. Ekziston domosdoshmëria për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e të pagjeturve, që është edhe çështje humanitare. Në takimin që kam zhvilluar me dy organizatat që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve, me organizatën shqiptare dhe atë të serbëve të zhdukur, kam kërkuar që kjo çështje urgjentisht të shtrohet për zgjidhje në Bruksel”, ka thënë presidenti Thaçi. /Insajderi.com