Presidenti i vendit Hashim Thaçi në mbyllje të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se përpos takimit me administratën e presidentit Barack Obama ka zhvilluar takime edhe me njerëz të administratës së presidentit të ri, Donald Trump.
“Këto ditë kam patur kënaqësinë që të vë kontaktet e para me njerëzit e ri që mund të jenë në Departamentin e Shtetit, gjithashtu edhe në Departamentin e Mbrojtjes por edhe në departamentet e sigurisë që do të merren drejtpërdrejt me çështjet e Evropës, gjithashtu të Kosovës dhe të Ballkanit perëndimor”, ka thënë presidenti në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Por presidenti i vendit ka thënë se nuk pret mbështetje të njejtë nga administrata e Donald Trump sikurse ajo e Barack Obamës.
“Nuk mund të them se do të ketë vëmendje sikurse ka qenë më herët dhe është mirë pasi Kosova nuk është ndonjë vend i krizës, por jam i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re e presidentit Trump do ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj për themelimin e ushtrisë së Kosovës, për futjen në partneritetin për paqe, dhe perspektivë të sigurtë për NATO”, ka thënë Thaçi.
Sipas presidentit, Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm dhe falënderues i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kështu që shoh edhe tek njerëzit e administratës së re vullnet dhe gatishmëri, por edhe vendosmëri që kauza e Kosovës të lëvizë në binarët e drejtë, në vlerat euro-atlantike”, ka thënë presidenti./Insajderi.com
Presidenti Thaçi kundër Donald Trump: Trump nuk është më as kandidat i Republikanëve