Hashim Thaçi po pretendon se do të jetë presidenti më legjitim i zgjedhur ndonjëherë në Kosovë.
Kandidati i Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike pritet të zgjidhet president javën tjetër nga Kuvendi i Kosovës.
Për të krijuar kuorumin e nevojshëm, të jenë të pranishëm 80 deputetë, ndërsa për t’u zgjedhur në raundin e tretë duhen të paktën 61 vota.
Opozita ka paralajmëruar se do ta pengojë zgjedhjen e Thaçit në krye të shtetit.
“Unë nuk jam kandidat i ndonjë individi të caktuar, jam kandidat i një marrëveshjeje të përbashkët në mes dy partive të fuqishme në vend, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve tjerë të koalicionit”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“…mund të them se presidenti i ardhshëm i Kosovës do të jetë një prej presidentëve më legjitim që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës duke vlerësuar lartë edhe punën e presidentit Rugova, presidentit Sejdiu, presidentit Pacolli dhe presidentes Jahjaga”.
Thaçi ka thënë se ende nuk është caktuar data e zgjedhjes së tij, por ka garantuar se kjo do të ndodh brenda muajit shkurt. /Insajderi.com