Plani i Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në Rripin e Gazës po përballet me pengesa të mëdha, raporton gazeta britanike The Guardian.
Sipas këtij raportimi, Izraeli po refuzon të japë leje për nisjen e ndërtimit të një baze ushtarake të planifikuar për strehimin e trupave ndërkombëtare, në përbërje të së cilës përfshihen edhe ushtarë nga Kosova dhe Maroku.
Baza e planifikuar parashihej të shërbente si vendosje e përkohshme për 150 ushtarë ndërkombëtarë. Kjo njësi është pjesë e një force më të madhe prej 500 trupash nga Kosova dhe Maroku, të cilët tashmë janë dërguar në kuadër të këtij angazhimi paqeruajtës.
Kontrata për ndërtimin e bazës iu dha në gusht kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana. Megjithatë, dy muaj më vonë, punimet ende nuk kanë nisur, pasi Izraeli nuk po lejon hyrjen e kontraktuesve dhe kamionëve në Gaza.
Një person me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje i ka thënë The Guardian se pa lejen e Izraelit, projekti nuk mund të vazhdojë.
Baza e përkohshme parashihet të ndërtohet në një hapësirë të fortifikuar prej rreth 100 me 100 metrash, në një lokacion që më parë ishte shfrytëzuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës.