Thellohet skandali i punësimeve, ky aktivist i VV-së konfirmon premtimet për punësim që ia bëri Enver Dugolli në kohë fushate - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Thellohet skandali i punësimeve, ky aktivist i VV-së konfirmon premtimet për punësim që ia bëri Enver Dugolli në kohë fushate

    Insajderi
    04 April 2022 - 22:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partinë në pushtet e ka kapluar nepotizmi. Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti është duke marrë “shkollë” nga pushtete e kaluara duke praktikuar metodën “Pronto”.

    Gazeta Insajderi kishte sjellë disa hulumtime radhazi për këto punësime.

    Hulumtimet e Insajderit i konfirmon edhe ky aktivistë i hershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka zgjedhur të ngrit zërin dhe të thotë të vërtetën se çfarë iu është premtuar atyre në kohë fushate.
    Ramiz Halilaj, aktivist i hershëm i Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, ka reaguar lidhur punësimet familjare në KEK.
    Halilaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpërfaqur shitblerjen që kishte ndodhur me këto premtime në kohën kur Enver Dugolli ishte në garë për kandidat për deputet.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Dugolli u kishte premtuar anëtarëve të këshillit që merrnin pjesë në votim se nëse votohej si kandidat për deputet, ata do të punësoheshin në kompani publike dhe në institucione tjera.

    Sipas tij, Albin Kurti ishte në dijeni “bile kishte pas diskutim në mes kryeministrit dhe atij, sepse Dugolli përhapte lajme se i ka rrënjët thellë me Albinin’”.

    “Enver Dugolli po e përmbush premtimin që e kishte bërë kur ishte në garë për tu bërë kandidati për deputet nga Drenasi. E kishim njoftuar Prishtinën për këto premtime joligjore dhe të pabarabartë. Sot kur po dalin rezultatet nga konkursi i fundit i KEK-ut, ajo çfarë kam paralajmëruar po del e saktë. Veç me ato forma ja doli të ishte kandidat, çuditërisht i Drenasit por që jeton dhe vepron në Prishtinë e nuk ka lidhje me hallet e qytetarëve të Drenasit. Në vesh të shurdhër kishin hasur ato çështje të ngritura, ato forma manipulimi, pa asnjë kriter të vetëm. Albin Kurti ishte në dijeni, bile kishte pas diskutim në mes Kryeministrit dhe atij sepse ky i fundit përhapte lajme se “i kam rrënjët thellë unë me Albinin, të kota janë ato çfarë i ka thënë për mua Albinit…””, ka shkruar ai.

    Gazeta Insajderi raportoi të dielën për një varg punësimesh “me të njofshëm” në KEK.

    Dhjetëra persona që u punësuan në konkursin e fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë lidhje familjare me të tjerët që mbajnë pozita në këtë ndërmarrje, shumica e të cilëve janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Listës së rezultateve për pozitën Zjarrfikës i prin Fitim Musliu. Insajderi mëson se ai ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2019.

    “Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Besim Muzaqi, mirëpriti në Qendrën tonë, antarësimin e Fitim Musliut nga fshati Dumnicë i Komunës së Vushtrrisë”, shkruan Lëvizja në vitin 2019.

    Po ashtu Fitim Musliu është edhe djali i Tahir Musliut, simpatizantit të Vetëvendosjes, i cili punon aktualisht në KEK.

    Në mesin e të pranuarve është edhe Nol Vrapçani, djali i Drejtorit të Auditimit të Brendshëm, i zgjedhur nga Bordi i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismet Vrapçani.

    Emri i tij figuron në listë si i pranuar.

    Në konkursin ku ka garuar Nol Vrapçani është kërkuar që të ketë të kryer shkollën e mesme të xehtarisë, ndërsa i njëjti ka përfunduar gjimnazin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark