×
Analiza

“Thënie të mençura” antiamerikane të “filozofit” Albin Kurti

Insajderi
20 October 2022 - 16:32
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Para se kryeministri Albin Kurti të bindej se “kush është në anën e Amerikës është në anën e të vërtetës” siç deklaroi pas takimit me emisarin e dërguar të ShBA-së, Gabriel Escobar, qasje krejtësisht tjetër kishte karshi shtetit më të fuqishëm në botë. Gazeta Insajderi, rikujton deklaratat problematike të Kurtit opozitar, të famshmet si “Shqiptarët nuk e duan Amerikën”, “Thikat mbi harta”, “Nuk bëhet aleanca me Amerikën me gypa’’

Albin Kurti, i cili në vazhdimësi në vitet e fundit kishte pasur diskurs përçmues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E kishte nisur me deklaratën e “Shqiptarët nuk e duan Amerikën”, para shtatët vitesh.

Kurti në një protestë të thirru nga partia e tij, u fliste një grupi demonstruesish, për shqiptarët, Amerikën dhe frikën nga braktisja, shkrun Gazeta Insajderi.

U tha se nga përvoja e tij e kishte mësuar një gjë mbi këto raporte.

Nuk mendoj se shqiptarët i dojnë amerikanët, as Amerikën por mendoj që shqiptarët më shumë e kanë njëfar ankthi të mundësisë së braktisjes nga Amerika sesa që e dojnë Amerikën, ka thënë Kurti.

Duke e shpjeguar frikën e shqiptarëve nga braktisja amerikane, Kurti ka treguar një fabulë të një fëmije i cili nuk mendon se ka humbur në plazh por që e ka braktisur nëna.

“Këta njerëz e kanë hallin se mos po na len neve Amerika. Nuk është që e dojnë por tuten mos po na len. Nuk është prej dashnisë”, ka thënë Kurti.

“Politikani që thotë Amelika, Amelika është i korruptuar”

Ishte prilli i vitit 2019, kur Albin Kurti kishte nisur tubimet me qytetarë në Komunën e Vushtrrisë kundër Qeverisë që atë kohë drejtohej nga Ramush Haradinaj dhe ku kërkonte zgjedhje të reja, shkruan Insajderi.

Me fushatën e titulluar ‘kundër PAN Hajnisë, Kurti nga Vushtrria kishte goditur politikanët shqiptarë të cilët besojnë në mbështetjen e Amerikës, duke i quajtur si të korruptuar.

“Si ta nini një politikan shqiptar që thotë Amelika, Amelika, dine që është i korruptum”, kishte thënë Kurti.

“Thika mbi harta”, në Shtëpinë e Bardhë

Albin Kurti, insistonte se në dialogun me Serbinë pritej që të diskutohej për shkëmbim territoresh. Ai disa herë e përsëriti se refuzonte të shkonte në në Shtëpinë e Bardhë pasi aty sipas tij, që dy vite po qëndrojnë politikanë me “thika mbi hartën e Kosovës”.

Madje kishte thënë se këtë e kishte dëgjuar nga amerikanët, shkruan Insajderi.

“Marrëveshja është e gatshme ku këta me thika mbi hartën e Kosovës kanë qëndruar për dy vjet e tash mua duan të më ftojnë t’i bashkohem tavolinës për kërcitjen e tapës së shampanjës, unë nuk e bëj këtë“, kishte thënë Kurti në një emision televiziv .

Madje, Kurti kishte deklaruar edhe në Kuvendin e Kosovës se është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë pasi marrëveshja është e gatshme në tavolinë.

“Po e theksoj se është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku e ke marrëveshjen e gatshme midis dy presidenteve, e nëse t’i s’pajtohesh duhesh të dalësh në mënyrë demonstrative e të flasësh, atëherë dëmtohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë Kurti në seancë të kuvendit.

Edhe pasi u rrëzu nga pozita e kryeministrit mandatin e parë, kishte vazhduar më këtë deklaratë. Se ka pasur thika mbi harta.

“Shkëmbimi territorial dështoi, por kjo s’do të thotë që ideja ka vdekur. Se ka pasur thika mbi harta, e kanë vërtetuar vetë. Më 19 qershor, Richard Grenell në një intervistë tha se për shkëmbimin territorial ka dëgjuar nga ish-këshilltari për siguri, John Bolton, dhe tre muaj më herët Grenell tha se s’ka dëgjuar, ai e kundërshtoi veten, por e konfirmoi se Bolton ka qenë në çështjen e shkëmbimit territorial”, kishte pohuar Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

Qeveria “Kurti 1” ishte rrëzuar nga partneri në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se po dëmtonte partneritetin me SHBA.

“Nuk bëhet aleanca me Amerikën me gypa’’

Në vazhdën e deklaratave problematike të Albin Kurtit ka qenë edhe ajo që lëkundnin miqësinë e shteti të Kosovës me SHBA’të, kur kundërshtonte Marrëveshjen e Uashingtonit dhe gazsjellësin amerikan.

Për gazsjellësin amerikan kishte thënë “nuk bëhet aleanca me Amerikën me gypa’’, shkruan Insajderi.

Para një viti në një përballje mes në kuvend mes Albin Kurtit e Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit e kritikonte për “prishjen” e marrëveshjes për gazin amerikan, Kuti e tha deklaratën e famshme me gypat.

“Pra me para të shtetit je shumë dorëshlirë, 18.5% Contourglobal-it jepja, se e ndreqim aleancën me Amerikën, për do gypa. Nuk ndreqet aleanca me do gypa. Kjo është cektësia dhe shkurtëpamësia juaj”, thoshte Kurti.

Alenaca me SHBA-të i takon të kaluarës

Albin Kurti kishte bërë edhe deklarata që kundërshtonte hapur aleancën e shenjt që Kosova dhe qytetarët e saj kanë me SHBA’të.

Kurti në këtë intervistë për emisionin ‘Argument’, ndër të tjera kishte thënë se aleanca me SHBA’të është e cekët dhe e ngushtë dhe i takon të kaluarës.

Ai tutje kishte thënë se kjo aleancë me SHBA’të ishte aleancë për intervenimin e NATO’s që ka ndodhur para 17 vitesh.

“Unë besoj që aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e cekët dhe e ngushte, është aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO’s që ka ndodhur para 17 vitesh dhe është aleancë për shpalljen e pavarësisë që ka ndodhur para 8 vitesh, dhe është aleancë për njohjet ndërkombëtare, nuk është aleancë për të ardhmën nuk është aleancë e thellë nuk është aleancë e thellë”, kishte thënë lideri i VV’së, tash kryeministër i Kosovës.

Kurti 2022: Ata që janë në anën e Amerikës, janë në anën e së vërtetës

Mendim e qëndrim krejtësisht ndryshe tash ka Albin Kurti. Tash mbanë pozitë të lartë shtetëore – atë të kryeministrit të Kosovës.

Kurti të mërkuren pas takimin me Gabriel Escobar theksoi se ata që janë në anën e Amerikës, janë në anën e së vërtetës.

Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces”.

“Me SHBA-të jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime. Rreshtimi i Kosovës me Amerikën përbëjnë dëshminë e partneritetit tonë dhe dallimin me ata që nuk u rreshtuan në anën e së vërtetës dhe të drejtës”, përfundoi Kurti. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark