×
  • Biznes
  • Biznes / Teknologji

    Threads hapet për edhe gjysmë miliardi njerëz në Evropë

    Insajderi
    14 December 2023 - 15:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Threads, aplikacioni i ri i pronarit të Facebook, Meta, ka mbërritur edhe në Bashkimin Evropian të enjten, disa muaj pasi u lëshua në tërë botën në korrik, njoftoi shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg.

    Platforma e re, e cila është pjesë e Instagramit, lejon njerëzit të regjistrohen duke përdorur llogaritë e tyre në Instagram.

    Threads u themelua me qëllim për t’i bërë rivalitet rrjetit social X, dikur i njohur si Twitter, pasi ky i fundit i zemëroi shumë përdorues dhe reklamues kur u ble nga Elon Musk vitin e kaluar.

    “Sot po e hapim Threadsin në më shumë vende në Evropë. Mirë së vini të gjithë”, shkroi Zuckerberg në Threads.

    Threads u lëshua në 100 vende në fillim të këtij viti, por jo edhe në BE. Zyrtarët e Meta cituan qartësinë rreth rregullatorit si arsye e vonesës së mbërritjes së rrjetit social në Evropë.

    Meta ka qenë vazhdimisht nën mikroskopin rregullator të BE-së, posaçërisht për shkak të shqetësimeve për mënyrën se si i përdor të dhënat e përdoruesve për t’i shërbyer reklamuesve.

    Më shumë se 100 milionë njerëz i ishin bashkuar Threadsit brenda një jave të lëshimit të tij në treg, pa përfshirë ata brenda BE-së.

    Meta tha të mërkurën se njerëzit në BE mund të krijojnë tani profile në Threads të lidhura me llogaritë e tyre në Instagram, por mund edhe ta përdorin aplikacionin pa profil për të kërkuar, shpërndarë dhe madje për të raportuar përmbajtje, pasi kompania pranoi t’u përmbahet rregullave të BE-së.

    Ata, megjithatë, nuk mund të postojnë apo të ndërveprojnë me përmbajtjen në Threads pa qenë të kyçur me llogarinë e tyre të Instagramit.

    Instagrami i ka dy miliardë përdorues në gjithë botën./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark