Protestuesit kanë sulmuar me gurë dhe molotovë Ministrinë e Drejtësisë mbrëmjen e së mërkurës, duke i vënë flakën katit të parë të godinës. Sulmi vjen pas incidenteve të mëparshme ndaj institucioneve të tjera, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kuvendin, Kryeministrinë dhe disa biznese private.
Gjatë orëve të pasdites, protestuesit u zhvendosën përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ndezën zjarre pranë Kryeministrisë, në zonën e Piramidës së Tiranës dhe afër Kullave Binjake, raporton Euronews Albania.
Për shkak të përshkallëzimit të tensioneve, policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u zhvendosën fillimisht në drejtim të Parlamentit, për t’u shpërndarë më pas në grupe të vogla nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit.