×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “… t’ju përvishemi edhe më shumë punëve”, Vetëvendosje nuk harron debaklin në zgjedhjet lokale

    Insajderi
    04 February 2024 - 14:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lëvizja Vetëvendosje po e sheh veten të përkryer në nivel qëndror, pavarësisht se po ngjall reagime të aleatëve ndërkombëtarë me vendimet e tyre. Mirëpo, partia në pushtet s’po shprehet e kënaqur me udhëheqjen në pushtetin lokal. Kjo vërehet edhe në diskutimin e fundit në mbledhjen me qendrat e partisë nëpër komunat e Kosovës.

    “Lëvizja VETËVENDOSJE! ashtu siç është alternativa e vetme në nivelin qendror duhet të jetë dhe të shihet si alternative e vetme e drejtë dhe zhvillimore edhe në nivelin lokal dhe për këtë duhet t’ju përvishemi edhe më shumë punëve në ditë dhe javët në vijim, u tha në këtë mbledhje”, thuhet në njoftimin e VV’së, ku tregohet për mbledhjen e qendrave nga kryetari i saj, Albin Kurti, si dhe akterë të tjerë të partisë që udhëheqin me shtetin, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti duket se s’ka arritur t’i harrojë rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale. Me kandidatë si Arben Vitia, tash Ministër i Shëndetësisë, humbi kryeqytetin nga Përparim Rama. Kurti u kritikua edhe për mundësinë e rikandidimit të Agim Bahtirit për kryetar të Mitrovicës, i cili humbi bindshëm nga Bedri Hamza i PDK’së.

    Vetëvendosja humbi komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni e Mitrovica me të cilat po udhëhiqte deri në zgjedhjet e fundit komunale.

    Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje po qeveris me katër komuna: Gjilani, Podujeva, Shtimja dhe Kamenica. Pavarësisht se të pakta në numër, partia në pushtet për ta siguruar edhe nga një mandat i ka favorizuar ato në buxhetin e ndarë për komunat më 2024’ën.

    Sidoqoftë, Vetëvendosja e sheh veten të paprekshme në nivelin qëndror. Kjo vërehet në njoftimin e tyre të së dielës nga mbledhja e përgjithshme.

    “Mbledhja me Qendrat filloi me kujtim për natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, masakrës dhe dëbimit të shqiptarëve nga pjesa veriore e Republikës tonë. Megjithëse ende mungon vendosja e drejtësisë për këtë krim të kryer ndaj popullatës civile shqiptare, qeverisja e re po vazhdon të bëjë punë për kthimin e ligjshmërisë dhe kthimin e shqiptarëve nëpër tokat dhe shtëpitë e tyre në atë pjesë. Dy organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallë organizata terroriste, mbi 7 stacione të reja policore janë ndërtuar, dhe po vazhdojmë të ndajmë mjete financiare për ndërtimin e shtëpive në veri”, thuhet në njoftimin përplot lëvdata.

    “Në vijën e përgjithshme të zhvillimeve politike u theksua fillimi i mbarë i këtij viti me përplotë zhvillime të rëndësishme për Republikën tonë si: Liberalizimi i vizave, njohja e pasaportës së RKS-së nga Spanja, heqja e vizave nga Emiratet e Bashkuara Arabe, heqja e vizave nga Izraeli, Lëvizja e lirë me targa RKS pa stikera, blerja e raketave “Javelin” nga ShBA-ja, rikthimi i FSK-së në Defender Europe 2025, subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për mbi 40 mijë familje të cenueshme, faturimi i energjisë elektrike në veri, shërbimet e ARBK-së për herë të parë në veri, heqja e dinarit të Serbisë, mbyllja e komunave paralele dhe arritje të tjera. Edhe muaji shkurt ka filluar mbarë dhe mirë me platformën e punësimit për të rinj SUPERPUNA ku tashmë e kemi zgjeruar nga mosha 18-25 vjeç në 18 – 29 vjeç”, vijon njoftimi.

    Viti 2024 është viti i fundit ku pritet përfundimi i mandatit të rregullt i udhëheqësve aktualë të komunave në Kosovë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark