×
  • Lajme
  • Lajme

    “Toksikologjia jashtë funksionit që prej zhdukjes së provave të rastit Dehari”

    Insajderi
    25 February 2024 - 21:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zjarri që kaploi Institutin e Mjekësisë Ligjore, nëntorin e kaluar, shkaktoi shumë dëme. Mes tyre, dëmtoi edhe laboratorin e Toksikologjisë.

    Laboratori trajton kryesisht prova të cilat kanë të bëjnë me procese gjyqësore. Tashmë, të gjitha provat që trajtohen nga ky laborator, janë duke u dërguar jashtë vendit.

    Në mesin e tyre, janë edhe disa prova të cilat ndërlidhen me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Mosfunksionalizimi i laboratorit, avokati Florim Shefqeti tregon se po shkakton vonesa në procese gjyqësore.

    “Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa edhe në trajtimin e rasteve në kuptimin e efikasitetit të procedurave. Ky fenomen, përveç i këtij laboratori shfaqet edhe në aspekte të ekspertizave të tjera, konkretisht ka qenë aktuale edhe mungesa e shtretërve në institutin e psikiatrisë forenzike, por edhe të ekspertizave të tjera të cilat realisht vonohen për shkak të mungesës së kuadrove të mjaftueshme ose të pajisjeve të mjaftueshme”, ka deklaruar Florim Shefqeti, avokat.

    Siç raporton TV Dukagjini në edicion lajmesh, laboratori kishte probleme në funksionim, prej kohës kur u zhdukën disa prej provave në rastin e Astrit Deharit.

    E në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, akoma nuk ka nisur renovimi. Prandaj, edhe rifunksionalizimi i laboratorit, duket i largët.

    “Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autoritetin shtetëror, shteti mbahet përgjegjës, jo në këtë rast drejtpërdrejt Instituti i Mjekësisë Ligjore, mirëpo paditet shteti për shkak se nuk ka arritur ta organizoj një gjykim të drejtë. Çdo vonesë që mbartet në përgjegjësi të shtetit dhe që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, sikur kjo në realizimin dhe vlerësimin e ekspertizave të nevojshme për një proces gjyqësor qoftë penal apo tjera, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit dhe kjo sigurisht ka të bëjë me gjykimin e drejtë që është neni 5 dhe 6 i konventës evropiane”, ka theksuar Hilmi Jashari – Ish-Avokat i Popullit.

    Ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari, tregon se dërgimi i provave për ekzaminim në institute jashtë vendit, mund të shkaktoj probleme të reja.

    “Sepse përgjegjësinë në këtë situatë do ta kishte bartë Instituti i Mjekësisë Ligjore, pavarësisht se çka do të kishte ndodhur, edhe nëse kontestohen ato vlerësime apo analiza. Mirëpo tani kur të kesh raporte kontraktuale me institute të tjera është e vështirë me e futë në përgjegjësi ligjore, për ta mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës në rast se ato kanë dështu, i kanë manipulu, keqpërdor ose është abuzu në çfarëdo forme”, ka shtuar Hilmi Jashari, ish-Avokat i Popullit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark