Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar sot para gazetarëve lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, shkruan Insajderi.
Kurti ka konfirmuar se ky proces po trajtohet me seriozitetin më të lartë, duke specifikuar edhe afatet ligjore që rrjedhin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kryeministrit, institucionet kanë në dispozicion një dritare prej 30 ditësh për të përmbyllur këtë çështje jetike për stabilitetin politik të vendit.
“Zgjedhja e presidentit sigurisht që është çështje tejet e rëndësishme edhe ne e marrim me seriozitetin më të lartë institucional e politik. Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk jam gabim, kemi kohë deri me datën 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë. Pra nuk janë tri ditë, janë 30, por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa shumë”, deklaroi Kurti.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se hapi i radhës do të jetë koordinimi i brendshëm, i cili do të pasohet menjëherë me një ftesë zyrtare drejtuar liderëve të partive opozitare për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
“Mua më nevojiten konsultimet e brendshme dhe natyrisht ajo që dihet është që pas këtyre konsultimeve të brendshme që do t’i zhvilloj menjëherë, do të dërgoj ftesë për takim me kryetarët e partive opozitare. Edhe njëherë po them, sa është e rëndësishme ta trajtojmë me urgjencë, është e rëndësishme të kemi edhe sukses”, shtoi ai.
Kurti shtoi se rezultati final është ai që ka rëndësi në këtë proces, duke vënë bastin mbi arritjen e një marrëveshjeje të suksesshme.
“Në fund të fundit nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrijmë”, tha ai përcjell Insajderi.