Në një betejë epike ligjore që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, avokati Nasuf Hasani—i njohur për mbrojtjen e figurave më të larta të shtetit, përfshirë ish-ministren e Drejtësisë dhe Kryeparlamentaren aktuale, Albulena Haxhiu—ka gjetur një kundërshtar që po i shkakton “humbje të kënaqësisë së jetës”: institucionin e tij, Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK).
Gazeta Insajderi
Në botën e drejtësisë kosovare, ku jemi mësuar të shohim Nasuf Hasanin duke mbrojtur me forcë titullarët e institucioneve në procese komplekse politike e juridike, askujt nuk do t’i shkonte mendja se një njoftim për pagesë anëtarësie do ta “gjunjëzonte” emocionalisht.
Në padinë e dorëzuar kundër OAK-së, Hasani pikturon një tablo gati dramatike të presionit që po ushtrohet mbi të. Megjithëse është i kalitur me vëllime të rënda lëndësh dhe përfaqësime në nivele të larta shtetërore, duket se një e-mail nga adresa [email protected] ka qenë shqetësimi i tij shumë serioz. Hasani shkon deri aty sa thotë në padi se: “Nga përmbajtja e këtyre njoftimeve rezulton se jo vetëm unë, por edhe të tjerët avokat-kolegë… vihen nën presion dhe, duke u shkaktuar edhe frikë”.
Sipas padisë, njoftimi i fundit i Odës, i cili u jep avokatëve afat deri më 31 mars 2026 për të paguar anëtarësinë nën kërcënimin e humbjes së licencës, nuk është thjesht një procedurë administrative, por një akt i pastër “shantazhi”.
“Kjo është hera e katërt që shantazhohem me heqje të licencës, sigurisht se ndjehem edhe i kërcënuar,” shprehet Hasani në padi, duke pretenduar se kjo qasje i ka shkaktuar “çrregullim emocional, stres psikologjik dhe humbje të kënaqësisë së jetës”. Ai shton se: “Palët e paditura më kanë shkaktuar dëm jomaterial… cënim të dinjitetit dhe të profesionit”.
Është një kthesë ironike: avokati që ruan qetësinë në seanca ku përfaqëson Kryeparlamentaren Haxhiu, deklaron para Gjykatës se ndihet “i turpëruar” dhe i shkelur në dinjitet nga administrimi i kolegëve të tij në Këshillin Drejtues. Në dokumentin e tij, Hasani nuk e fsheh mllefin: “Ndjehem i turpëruar me funksionimin e OAK-së, njëkohësisht ndjehem i turpëruar me këtë qasje pasive dhe nënshtruese të anëtarëve të Këshillit Drejtues”.
Përtej anës emocionale, Hasani ka goditur me padi në procedurë dhe hierarki ligjore. Në padinë e tij, ai ka zbërthyer atë që e quan “arbitraritet” të Këshillit Drejtues të kryesuar nga Besnik Berisha. Hasani ngre dyshime mbi mënyrën e dërgimit të njoftimeve, duke thënë se: “E-mailat… janë dërguar nga adresa institucionale të OAK-së, por pa treguar qartë emrin e titullarit… kjo formë dërgimi fsheh përgjegjësinë individuale dhe vështirëson identifikimin e autorit”.
Hasani pretendon se Oda po përdor Nenin 61 të Statutit për t’i “shlyer” avokatët brenda natës, ndërsa harron se Neni 39 i Ligjit për Avokatinë (i cili ka fuqi më të lartë se Statuti) e lejon humbjen e licencës vetëm nëse mospagesa zgjat plot një vit. Ai thotë prerë: “I ashtuquajturi vendim i OAK-së është i kundërligjshëm, më kufizon një të drejtë të garantuar me ligj”.
Në padi përmenden me emra ata që votuan pro këtij afati: Besnik R. Berisha, Naim Rudari, Selami Rexhepi, Elvir Imeri dhe Milot Krasniqi. Hasani ka kërkuar që Gjykata të detyrojë OAK-në të dorëzojë incizimet audio (diktafonin) dhe procesverbalin, duke lënë të kuptohet se nuk ka besim në versionin e shkruar të mbledhjes, pasi siç thotë ai: “Fare nuk çuditem me këtë qasje të menaxhmentit aktual… kur kemi parasysh se Kryetari aktual e ushtron profesionin e avokatisë në kundërshtim me normativën e OAK-së”.
Gjyqtarja Vjollca Limani ka reaguar përmes një aktvendimi të nxjerrë më 18 mars 2026, ajo ka detyruar OAK-në që brenda tri ditësh të dorëzojë të gjitha provat dhe të përgjigjet për propozimin e masës së sigurimit. Deri atëherë, mbetet të shihet nëse avokati i njohur do ta rifitojë “kënaqësinë e jetës” përmes vendimeve të gjykatës.