Shembja e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë aktivizoi opozitën në këtë komunë. Akterë nga Lëvizja Vetëvendosje e përshkruan situatën në kryeqytet si të mjerueshme. Kryetari Përparim Rama u akuzua nga ta se po jep leje ndërtimore pa standard. Të njëjtit thanë se qytetarët janë në rrezik. Harruan se nën qeverisjen e VV-së dy fëmijë kishin humbur jetën në lagjen “Kolovica”.
Të dielën banorët e rrugës “Don Shtjefën Kurti” u tmerruan nga çfarë panë. Para tyre u hap toka dhe e përpiu dheun. Fatmirësisht ky incident përfundoi pa shkaktuar ndonjë viktimë. Dëmet materiale ishin të mëdha. Një pjesë të madhe të kryeqytetit iu ndërpre energjia elektrike për rreth 24 orë. Banorët e lagjes mbetën me orë të tëra edhe pa ujë.
Kompania “Klub Invest” që po ndërtonte në këtë zonë deklaruan se kishin leje ndërtimore, por që nuk ishin në dijeni për rrezikun që iu kanosej. Nga komuna e Prishtinës drejtori i Përparim Ramës, Lulzim Fushtica tha se sipas të gjitha gjasave, ka pasur rrjedhje të ujit.
Kush është shkaktari kryesor i kësaj pritet ta gjej Prokuroria Themelore. Hetimet kanë nisur qysh dje.
Akuzat ndaj Ramës nga Vetëvendosje
Akuza direkte ndaj kryetarit Përparim Rama bëri Gëzim Sveçla, asamblesit i VV-së në komunën e Prishtinës. Ai tha se Rama po jep leje ndërtimore pa standard.
“Ndërtime pa kontroll, leje ndërtimore pa standard, institucione pa funksion dhe qytetarë nën rrezik. Ky është bilanci i një qeverisjeje që ka humbur çdo lidhje me realitetin. Kjo është pasoja kur kryetari sillet si figurë e politikës qendrore dhe pozitën e të parit të qytetit e shfrytëzon për spektakël, jo për shërbim”, ka deklaruar ai.
“Ndërkohë, Prishtina po paguan çmimin me kaos urban, me pasiguri dhe me një qytet që po rrëshqet çdo ditë më poshtë. Qytet që po vuan”.
“Shembja masive e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, ka lënë një zonë të terë te izoluar dhe paralizuar. Kjo është pasojë e një SHFRENIMI URBANISTIK që po ndodhë në Prishtinë. Është pasojë e ndërtimeve që nuk respektojnë asnjë kriter sigurie, e të mos flasim për kritere urbanistike”, ka deklaruar ajo.
Tutje, ajo theksoi se përmes Planit të ri Hapësinor të Kosovës do të vendosen kritere të rrepta që nuk lejojnë më, siç u shpreh ajo, improvizime.
“Për t’i dhënë fund kësaj mbrapshtie që është instaluar për vite me radhë, ne si Ministri do të bëjmë përpjekje që me Planin e ri Hapësinor të Kosovës të vendosim kritere të rrepta dhe standarde që nuk lejojnë më improvizime në dëm të qytetarëve”.
Tragjedia që tronditi Prishtinën nën qeverisjen e Vetëvendosjes
Më 23 qershor të vitit 2016 në lagjen “Kolovica” humbën jetën dy fëmijë.
Florenta dhe Florent Mramori 13 dhe 11 vjeçar, kishin rënë në një gropë që nuk duhej të ekzistonte. Gropa e mbushur me ujë ishte hapur pa leje për nxjerrjen e zhavorrit.
Vendin ku ndodhi tragjedia, fëmijët shumë herë e kishin shfrytëzuar për tu larë në ditët me temperatura të larta.
Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kishin deklaruar se asnjë operator nuk kishte leje për atë zonë.
Në komunën e Prishtinës e cila atë kohë udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, Xhelal Sveçla shërbente si drejtor i Inspeksionit. Përgjegjësia institucionale e politike për këtë rast rëndonte mbi të.
Sveçla kishte dhënë dorëheqje ndonëse nuk e kishte pranuar se ishin fajtor.
“I kemi parandaluar shumë rreziqe, përfshirë edhe mbylljen e disa gropave. Mirëpo, fatkeqësisht ka qenë e pamundur që të eliminohen të gjitha parregullsitë. Nuk ia kemi dalë që qytetarin me e mbrojtë nga të gjitha ato të këqija që i janë bërë nga ajo trashëgimi që ne e kemi gjetur”, kishte deklaruar Sveçla.
Ndërkohë, Shpend Ahmeti kishte thënë se kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund dhe do të hetohet se kush kanë qenë përgjegjësit për këtë.
Përkundër këtyre deklaratave politike, rasti ende nuk e ka marrë një epilog. /Insajderi.org