Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka folur me respekt dhe humor për avantazhet që Thomas Tuchel gëzon në drejtimin e Anglisë, para përballjes së së dielës në “Arenën Kombëtare”.
Tekniku brazilian tha se Tuchel është “njeri me fat”, pasi ka në dispozicion yje si Bellingham, Foden dhe Rogers, të cilët po luftojnë për rolin e numrit 10 pas Harry Kane.
“Ai është njeri me fat. Ka shumë lojtarë të mirë dhe e di çfarë bën. Nuk jam trajner i Anglisë, ndaj kjo nuk është puna ime,” tha Sylvinho me një buzëqeshje.
Tuchel ka deklaruar më herët se Bellingham, Foden dhe Kane nuk mund të luajnë së bashku në sistemin e tij, ndërsa Morgan Rogers ka qenë titullar në katër ndeshjet e fundit të Anglisë.
“E dua si trajner, është fantastik”, shtoi Sylvinho.
Anglia ka siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026, duke fituar të shtatë ndeshjet pa pësuar gol. Shqipëria, ndërkohë, ka arritur një vend historik në play-off dhe synon debutimin e parë në një Botëror.
Ndeshja Angli–Shqipëri do të zhvillohet të dielën në orën 17:00 në “Arenën Kombëtare”.