Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, thotë se në rrjedhë është procesi i kompletimit të dokumentacionit për transferimin e Grupit të Kumanovës, duke nënvizuar se dinamika e realizmit të transferimit varet gatishmëria dhe shpejtësia e veprimit të gjykatave dhe institucioneve të tjera në këtë rast dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministri Lloga për REL-in është shprehur i prerë se duhet të ketë përgjegjësi për ata gjykatës që i lanë të të vjetrohen lëndët ku janë të përfshirë zyrtarët e lartë.
“Atë që kam marrë nga dokumentacioni në fjalë dhe që e kanë referuar punonjësit e administratës brenda në ministri është se disa nga kërkesat nuk janë të kompletuara. Kemi filluar me procesin e kompletimit të dokumentacionit pastaj fillon një nga një fazat, të cilat rrjedhin deri në momentin që duhet të kryhet edhe transferimi i tyre në burgjet e Kosovës”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
“Kjo ngërthen shumë institucione, si brenda vendit ashtu edhe në Kosovë. Pra, kemi të bëjmë me vendimet që duhet të njihen nga ana e Gjykatave në Kosovë, pra vendimet e plotfuqishme të cilat janë vendosur në Maqedoni të Veriut, varësisht nga gatishmëria dhe shpejtësia e gjykatave dhe institucioneve të tjera – në këtë rast edhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme – do të varet dinamika e realizimit të procesit në fjalë”, ka vijuar më tej ai.