Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës orët e para të së enjtes, nën dyshimin për posedim të narkotikëve.
Në njoftimin e lëshuar nga PK-ja thuhet se të dyshuarit ishin në posedim të substances narkotike marihuanë dhe kokainë, shkruan Gazeta Insajderi.
Siç njofton policia, njëri nga ta kishte urdhërarrest aktiv ndërkombëtar për narkotik/laborator droge.
“Me datën 23.11.2023 rreth orës 03:15, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Patrulluese e Stacionit Policor Mitrovicë-veri, gjatë angazhimeve të saj në garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale, ka ndaluar për kontroll automjetin e tipit VW Golf, të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale m/s (N.M.) dhe pasagjerë në automjet ishin të dyshuarit me inicialet (M. T. dhe D. J.)”, thuhet në njoftim.
“Gjatë verifikimit të personave të ndaluar nga Policia e Kosovës ka rezultuar se i dyshuari me iniciale (M. T.) m/s, ka urdhër-arrest aktiv në lidhje veprën penale për narkotik/laborator droge”, vijon njoftimi.
Dëshmitë e sekuestruara janë evidentuar si ne vijim:
sasi e dyshuar e kokainës me peshë rreth 10 gramë,
sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 98 gramë,
para (kesh) 83540 dinar të Serbisë dhe 205 euro dhe
katër (4) telefona mobilë. /Insajderi.org/