Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti komunikacioni që ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00.
Sipas policisë, në këtë përplasje kanë qenë të përfshira dy automjete të cilat ishin në lëvizje e sipër.
“Në këtë aksident janë përfshirë dy automjete në lëvizje. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, deklaroi Ahmeti.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë pjesëtarët e policisë për të menaxhuar trafikun dhe për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Zëdhënësja Ahmeti shtoi se me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut, i cili ka nisur hetimet e plota për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve që çuan deri te ky aksident.