×
  • Lajme
  • Lajme

    Tri dorëheqjet e Ramush Haradinajt

    Insajderi
    20 February 2016 - 08:29

    Për pesëmbëdhjetë vjet karrierë politike, Ramush Haradinaj ka dhënë tri herë dorëheqje. Herën e parë nga pozita e kryeministrit. Të dytën dhe të tretën nga pozita e deputetit.

    Ai mund të cilësohet si lideri më fatkeq sa i përket posteve politike.

    Seanca e fundit e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si deputet, është ajo e së premtes. Gjatë kësaj seance përjetoi tërheqjen zvarrë të kolegëve të tij opozitar nga Policia e Kosovës për shkak të hedhjes së mjeteve të klasifikuara si armë – gazit lotsjellës në Kuvend.

    “Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshire edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit”, ka thënë Haradinaj në arsyetimin e dorëheqjes.

    “Pikërisht si rezultat i një injorimi të tillë dhe e një papërgjegjësie ekstreme të pushtetarëve të këtij vendi, e vetmja rrugë veprimi e imja si deputet, kishte mbetur logjika e kundërshtimit me gaz”.

    Ai i liroi vendin Ali Berishës në Kuvendin e Kosovës.

    Haradinaj ka dhënë dorëheqje edhe në vitin fillim të vitit 2008 nga pozita e deputetit. Asokohe ndodhej në Gjykatën e Hagës në rigjykim për krime lufte që supozohej se kishte kryer në rajonin e Dukagjinit ku kishte komanduar gjatë viteve 1998-1999.

    “Nuk mund të lejoj që në burg të mbahet një deputet”, ishte arsyetuar ai kur kishte dhënë dorëheqje pas certifikimit të zgjedhjeve.

    Paraburgosja në Hagë nuk e kishte penguar Haradinajn që në ato zgjedhje të ishte prijës i listës për deputet dhe kandidat për kryeministër, pozitë kjo e lakmueshme prej tij.

    Dy vjet e gjysmë më herët, Haradinaj kishte mbajtur pozitën e kryeministrit për 100 ditë falë zemërgjerësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj të ndjerë, Ibrahim Rugova. Me tetë për qind të votave, ai kishte fituar pozitën e kryeministrit.

    Haradinaj u zgjodh në këtë pozitë më 3 dhjetor 2004.

    Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij.

    “Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës”, kishte thënë ai në një konferencë për media. Prapa tij qëndronte i terë kabineti qeveritar. Astrit Haraqija, ministër i Kulturës kishte derdhur lot për të.

    Të nesërmen shkoi vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Me të mbërritur atje, u burgos. U gjykua për krime të rënda.

    Por u shfajësua prej të gjitha akuzave.

    Në Hagë u thirr për rigjykim dhe sërish u shpall i pafajshëm. Nga Haga u detyruar ta lirojë pozitën e deputetit.

    E, Kur u kthye në Kosovë, u prit si hero lufte. Hashim Thaçi ia shtroi edhe tepihun e kuq në Aeroport. Ai tepih është vlerësuar si djegia më e madhe politike që ka përjetuar Haradinaj. Donte që Thaçi t’ia lëshonte postin e kryeministrit.

    “Nuk kemi kohë, duhet me punu”, kishte thënë ai.

    Këtë dëshirë e ushqeu disa muaj, derisa Thaçi ia bëri me dije se nuk ia lëshon postin e kryeministrit.

    Në zgjedhjet e fundit, u zgjodh deputet ku qëndroi deri të premten. Ai është vetëm kryetar partie, mirëpo i gatshëm për të punuar për Kosovën nga pozita e kryeministrit. /Insajdi.com

     

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark