×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Tri javë nga skandali 2 milionësh – mbetet në arrati Valon Shala, drejtori i kompanisë së përfshirë në aferë

    Insajderi
    10 November 2020 - 11:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Policia e Kosovës po kryen hetime për arrestimin e Valon Shalës, drejtorit të “LDA Group” Sh.P.K., kompanisë në të cilën u transferuan ilegalisht 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit.

    Valon Shala figuron drejtor i firmës private “LDA Group”, pronar i së cilës është vëllai i tij, Kadri Shala. Të dy dyshohen për përfshirje në transaksionet e ilegale nga Thesari i Shtetit në xhirollogarinë e kompanisë së tyre.

    Pronari i kompanisë, Kadri Shala, u vetë-dorëzua në Policinë e Kosovës, më 26 tetor, pasi dyshohej se ndodhej në arrati prej datës 20 tetor.

    Atë ditë, organet e rendit arrestuan Labinot Grudën, zyrtarin e Departamentit të Thesarit, i dyshuar për transferimin ilegal të 2 milionë e 77 mijë euro në xhirollogarinë e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K..

    Shalës dhe Grudës iu janë caktuar nga 30 ditë paraburgim.

    Por, në arrati gjendet ende Valon Shala, drejtori i kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit. Ai nuk është kapur ende nga autoritetet e drejtësisë, ka njoftuar sot Policia e Kosovës në një përgjigje për Insajderin.

    “Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë është duke kryer hetime lidhur me rastin, përderisa informacioneve zyrtare të bëra publike deri me tani mund t’iu referoheni”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Insajderin.

    Më 9 tetor, në orën 12:41, dy milionë euro u derdhën brenda tetë minutash nga Thesari i Shtetit, në llogarinë e një kompanie private.

    Gazeta Insajderi raporti ekskluzivisht se paratë shkuan tek “LDA Group”, kompani kjo me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

    Nga Thesari tek kompania ishin kryer katër transaksione: 330 mijë euro; 375 mijë euro; 622 mijë euro; 750 mijë euro – të njëjta dyshohet se i transferoi Labinot Gruda, zyrtar në zyrën e financave të Shtetit.

    Gazeta Insajderi ka siguruar korrespodencat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës që zbuluan rrjedhën e zhdukjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

    Skemën e këtij skandali në njërin nga institucionet që besohej që të ishte i sigurt, Insajderi e ka ekspozuar përmes një serie hulumtimesh.

    Pas këtyre hulumtimeve, nëpërmes një letre në publik është paraqitur edhe vet emri kryesor i përmendur në këtë aferë, biznesmeni Kadri Shala. Derisa ndodhej në arrati e jashtë Kosovës, javën që shkoi ai kishte shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express dhe T7, përmes vëllait të tij.

    “Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala i cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Grudën.

    Insajderi nga burime të mirë-informuara ka marrë vesh që Shala e Gruda njihen së paku që nga marsi i këtij viti, duke zbuluar kështu bashkëveprimin e dyshimtë ndërmjet dyshes.

    Informacionet e siguruara nga Insajderi çojnë në atë drejtim se ka pasur një plan që Shala-Gruda të rregullojë dokumentet për të jetuar në Turqi, pas kryerjes së aktit kriminal të vjedhjes së mbi 2 milionë eurove./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark