Tritol banesës dhe agjencisë funerale të biznesmenit shqiptar, policia arreston motrën e autorit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Shqipëri/Rajon

    Tritol banesës dhe agjencisë funerale të biznesmenit shqiptar, policia arreston motrën e autorit

    Insajderi
    03 December 2024 - 12:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rreth një muaj pasi biznesmenit Ardian Fierza iu vendos tritol në banesën e tij në Shkodër, policia ka zbardhur ngjarjen, duke vënë në pranga një grua.

    Uniformat blu bëjnë me dije se autor i shpërthimit është 35-vjeçari Benard Pllumbaj, të cilin kamerat e sigurisë e kanë fiksuar duke montuar tritolin edhe në derën e agjencisë funerale të Fierzës gjatë verës.

    Policia sqaron se ai ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen Lumturije Pllumbaj (Rakaj) për marrjen e një shume parash nga Ardian Fierza, me të cilin kishte konflikt pronësie për agjencinë funerale.

    “Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 10.11.2024, në banesën e shtetasit A. F., ku u vu një sasi lënde plasëse. Si rezultat i një pune intensive hetimore, të kryer me metoda speciale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i dy rasteve të vënies së lëndës plasëse në biznesin dhe në banesën e shtetasit A. F. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv, rezultoi se autori i dyshuar edhe për rastin e dytë të vënies së lëndës plasëse, është shtetasi B. P., 35 vjeç. Në vijim të hetimeve rezultoi se ky shtetas ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen L. P., për marrjen e një shume parash nga shtetasi A. F., me të cilin kishte konflikt pronësie për angjencinë funerale”, njofton policia.

    Më tej Blutë e Shkodrës sqarojnë se u bë arrestimi i 38 vjeçares, së cilës gjatë kontrollit në parukerinë që administronte i është gjetur dhe sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.

    Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e Benard Pllumbaj është gjetur 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 radio dore si e policisë, 1 laptop, 1 DVR dhe 11 celularë, ndërsa vijon puna për arrestimin e 35-vjeçarit.

    “Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, si dhe për shtetasen L. P.(R)., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private’”, sqaron policia.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark