×
  • Lajme
  • Analiza

    Tronditja e Prishtinës nga atentati “alla Narcos” – Si u shkrepën një breshëri plumbash për ekzekutimin e Egzon Tigrit?

    Insajderi
    11 October 2022 - 12:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se bëhet fjalë për Egzon Abazin. Ai njihet me nofkën Egzon Tigri dhe është një prej protagonistëve të narkotrafikut në Kosovë. Ai ishte arrestuar në qershor të vitit 2021 nga Policia e Kosovës. Ishte kapur me 2.5 kilogram kokainë.

    Gazeta Insajderi

    Një breshëri plumbash nga një motoçikletë në lëvizje, ngjashëm si në seritë e famshme “Narcos”, tronditi Prishtinën dje pasdite. Tetë gëzhoja u gjetën në vendngjarje. Personi që ishte targetuar për vrasje, i cili voziste veturën e tipit BMW i shpëtoi atentatit.

    Por, kush ishte personi ndaj të cilit u bë ky atentat që është i zakonshëm në vendet e Amerikës Latine, si Kolumbia, Meksika apo Ekuadori?

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se bëhet fjalë për Egzon Abazin. Ai njihet me nofkën Egzon Tigri dhe është një prej protagonistëve të narkotrafikut në Kosovë. Ai ishte arrestuar në qershor të vitit 2021 nga Policia e Kosovës. Ishte kapur me 2.5 kilogram kokainë.

    Ende nuk ka një sqarim zyrtar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria se për çfarë arsye është tentuar ekzekutimi i tij. Për biznesin e kokainës apo për qërim hesapesh për çështje tjera biznesore.

    Lexo edhe:

    Qeveria Kurti ishte mburrur me arrestimin e Egzon Tigrit, nuk dihen arsyet pse u lirua

    Në qershorin e vitit të kaluar, kur Policia e kishte arrestuar Egzon Abazin, ose siç njihet ndryshe Egzon Tigrin, për rastin kishte folur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Ai përmes një postimi në Facebook, krenohej me operacionin që kishte realizuar Policia.

    “Njësia antidrogë e rajonit të Prishtinës, në koordinim të plotë me policinë gjermane, realizuan aksionin e radhës që rezultoi me arrestimin e një të dyshuari në Prishtinë për kontrabandë me narkotik. Po ashtu, policia konfiskoi edhe 2.5kg kokainë, 3 armë (revole, automatike), karikator, qindra fishekë, si dhe dy automjete”, pati shkruar Sveçla, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ministri i Brendshëm më tej pati theksuar se mbeten të përkushtuar maksimalisht që të punojnë ngushtë me partnerët për të parandaluar dhe luftuar, tregtinë e paligjshme të drogës dhe formave të tjera të rënda të krimit të organizuar ndërkombëtar.

    Por, Abazi ose Tigri ndonëse ishte arrestuar për kontrabandë me narkotikët, ai ishte liruar më pas.

    Edhe pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij, ende nuk dihen saktësisht arsyet e lirimit të Egzon Abazit.

    Lexo edhe:

    Si ndodhi rasti i djeshëm?

    Dje në pikë të ditës, në ora 15:35 minuta para Ministrisë së Tregtisë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

    Atentati siç ka zbuluar Gazeta Insajderi ishte menduar kundër Egzon Abazit, por i njëjti ka shpëtuar.

    Rastin e sulmit që ndodhi në kryeqytet e ka konfimruar Policia e Kosovës, duke e cilësuar si “vrasje në tentativë”.

    “Ankuesi mashkull ka informuar se për deri sa ishte duke lëvizur me veturë, dy persona të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe më pas janë larguar”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Si pasoj e të shtënave me armë, janë shkaktuar dëme materiale në veturën e ankuesit.  Nuk  raportohet për  të lënduar”, zbulon tutje Policia, transmeton Gazeta Insajderi.

    Policia në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale ka gjetur dhe konfiskuar tetë gëzhoja të armës së zjarrit.

    Rasti është duke u hetuar.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark