Insajderi
Botë

Trump: Çarmatimi bërthamor i Iranit po shkon shumë mirë

Insajderi
02 July 2026 - 16:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Trump: Çarmatimi bërthamor i Iranit po shkon shumë mirë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Bisedimet indirekte mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë përfunduar në Doha, pa ndonjë përparim të dukshëm drejt një marrëveshjeje afatgjatë. Negociatat u përqendruan kryesisht në zbatimin e marrëveshjes së përkohshme të arritur dy javë më parë.

Sipas burimeve pranë diskutimeve, gjatë dy ditëve palët trajtuan çështjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe zhbllokimin e fondeve iraniane, shkruan A2 CNN. Ndërkohë, programi bërthamor i Iranit, që mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes, nuk ishte pjesë e këtyre takimeve teknike.

Megjithatë, presidenti Trump pretendon se procesi për kufizimin e programit bërthamor po shkon shumë mirë. Zëvendëspresidenti JD Vance tha se kjo temë do të diskutohet në fazën e ardhshme të negociatave. “Çarmatimi bërthamor i Iranit po ecën mirë. Ata kanë zhvilluar takime shumë të mira, do ta shohim. Siç e dini, ne i goditëm shumë fort për tre net, por po shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin”.

Takimi i radhës pritet të zhvillohet pas ceremonive mortore të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili do të varroset më 9 korrik.

Sipas Ministrisë së Jashtme në Doha, diskutimet kanë prodhuar përparim pozitiv mbi çështjet që lidhen me memorandumin që ndali luftën në qershor. Palët kanë rënë dakord që, brenda 24 orëve, të krijojnë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi dhe të hartojnë një dokument me çështjet problematike të marrëveshjes, i cili do të shërbejë si bazë për shqyrtimin dhe negociatat e mëtejshme.

Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet Ngushtica e Hormuzit, teksa Irani këmbëngul për njohje ndërkombëtare të kontrollit mbi këtë korridor detar dhe ka paralajmëruar vendosjen e tarifave për anijet, duke nisur nga mesi i muajit gusht.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark