Trump: Nuk kërkoj marrëveshje me BE-në, tarifa prej 50 për qind, është vendosur - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Trump: Nuk kërkoj marrëveshje me BE-në, tarifa prej 50 për qind, është vendosur

    Insajderi
    23 May 2025 - 23:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi të premten me vendosjen e një tarife doganore prej 50 për qind për mallrat nga Bashkimi Evropian, duke përmendur mungesën e përparimit në negociatat aktuale tregtare si arsye.

    “Barrierat e forta tregtare të tyre, TVSH-ja, gjobat qesharake për korporatat, pengesat jotarifore në tregti, manipulimet me valutën, paditë e padrejta dhe të pajustifikuara kundër kompanive amerikane dhe shumë gjëra të tjera kanë sjellë një deficit tregtar me SHBA-në më të madh se 250 milionë dollarë në vit – një shifër plotësisht e papranueshme”, shkroi Trump në Truth Social.

    “Prandaj propozoj vendosjen e një tarife të drejtpërdrejtë prej 50 për qind ndaj Bashkimit Evropian, duke filluar nga 1 qershori 2025”, shtoi ai.

    Më vonë gjatë ditës, gjatë nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv në Zyrën Ovale, lideri amerikan e përforcoi më tej mesazhin drejtuar BE-së.

    “Nuk po kërkoj marrëveshje. Marrëveshjen e kemi vendosur tashmë dhe ajo është 50 për qind”, tha Trump.

    Megjithatë, ai la të hapur mundësinë për shtyrjen e afatit të 1 qershorit, duke thënë se “nëse dikush vjen dhe dëshiron të hapë një fabrikë këtu, mund të flasim për një shtyrje të vogël”.

    Trump shtoi se vendet anëtare të BE-së janë bashkuar për të përfituar nga SHBA-ja.

    Olof Gill, zëdhënësi i Komisionit Evropian, refuzoi të komentojë menjëherë deklaratën e Trumpit, duke thënë se po priste përfundimin e bisedimeve ndërmjet Marosh Shefçoviq, komisioneri evropian për tregti, dhe përfaqësuesit tregtar amerikan, Jamieson Greer. Gill nuk dha një afat të saktë për zhvillimin e bisedimeve.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark