Një video e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), e publikuar mbrëmë nga agjencia e militantëve, Amaq, ku shihet i dyshuari për sulmin në Berlin, Anis Amri, duke shprehur lojalitet ndaj IS-it, është komentuar ashpër nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Zoti Trump, që kishte shprehur përkushtim për “eliminimin” e grupeve terroriste, e ka shfrytëzuar këtë video për të kërkuar nga shoqëritë perëndimore që të përgjigjen “me luftë” kundër ekstremizmit të dhunshëm islamik.
“Terroristët që i kanë vrarë aq shumë njerëz në Gjermani, pak para krimit thanë se – me vullnet të Zotit ne do t’ju vrajmë juve derra”, ka shkruar zoti Trump në rrjetin Twitter, dhe ka shtuar se “ky është kërcënim i pastër fetar, që u shndërrua në realitet”.
“Kaq urrejtje…kur Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet do të përgjigjen me luftë?”, pyetet Trump.
Autoritetet thonë se Anis Amri, personi i dyshurar për sulmin në Berlin më 19 dhjetor, nga i cili janë vrarë 12 vetë, është vrarë nga policia italiane.