Për herë të parë presidenti i zgjedhur Donald Trump pranoi se mbështetësit e tij kishin qenë të dhunshëm gjatë fushatës zgjedhore.
Edhe pse e kishte mohuar diçka të tillë në të kaluarën duke fajësuar për dhunën aktivistë të paguar, gjatë një fjalimi në Florida në të ashtuquajturin “turin e falënderimeve”, miliarderi ofroi një tjetër version.
“Ju u treguat të egër, të dhunshëm…bërtisnit ‘ku është muri’, ‘duam murin’ apo ‘mbylleni atë në burg’…Ju të gjithë u çmendët, por tani jeni të gjithë të qetësuar dhe as nuk mendoni më për dhunën sepse ne fituam apo jo?”, tha Trump.
Gjatë fushatës elektorale manjati i pasurive të paluajtshme i ishte referuar tubimeve të tij si me të sigurtat në botë, duke i quajtur edhe si ‘feste dashurie’. Por mbështetësit e Trumpit u përfshinë shpesh në përleshje fizike gjatë fushatës që priu zgjedhjet presidenciale, e disa prej tyre u përballën me akuza për sulme.