Në debatin e dytë televiziv presidencial në mes kandidatit republikan dhe asaj demokrate, ka pasur shumë kritika të ashpra.
Në këtë takim u diskutua rreth çështjeve të grave dhe komenteve të fundit që i ka bërë Trump për gratë.
Donald Trump është mbrojtur ndaj akuzave për “kontakte fizike me femrat”, që erdhën pasi u publikuan në një regjistrim të vitit 2005.
Gjatë debatit presidencial me Hillary Clinton, kandidati republikan mohoi të ketë ngacmuar ndonjëherë seksualisht femrat dhe e drejtoi sulmin ndaj ish-presidentit, Bill Clinton.
“Nuk ka pasur kurrë një njeri në historinë e politikës që të ketë qenë më abuziv me femrat sesa Bill Clinton”, tha Trump.
Ndërsa Hillary Clinton nuk pranoi t’i përgjigjej këtij komenti mbi burrin e saj. Nga ana tjetër, ajo tha se fakti që republikanët po e braktisin një nga një, tregon se çfarë njeriu është Trump.
“Me kandidatët e mëparshëm republikanë nuk kam qenë dakord, por kurrë nuk e kam vënë në dyshim qëllimin e tyre për t’i shërbyer vendit. Mendoj se është e qartë për këdo që e ka dëgjuar, videoja tregon qartë se çfarë njeriu është Trump”, tha Hillary Clinton.
Kandidatja demokrate Hillary Clinton në debatin e parë televiziv ka dalë fituese./Insajderi.com