Autoritetet e Turqisë i kanë arrestuar edhe 7 persona tjerë të dyshuar se kanë lidhje me sulmin e trefishtë vetëvrasës me bombë në aeroportin kryesor të Stambollit.
Sipas medieve turke, tash numri i të arrestuarve është 37.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, ka raportuar sot se 7 të dyshuarit janë arrestuar nën akuzën për “anëtarësim në një grup të armatosur terrorist” dhe për bashkëpunim në vrasje.
Agjencia private e lajmeve, Dogan, tha se të 7 personat e arrestuar mbrëmë vonë, ishin me kombësi të jashtme.
Në sulmin më 28 qershor në Aeroportin ndërkombëtar Ataturk në Stamboll, janë vrarë 45 persona dhe plagosur afro 240 të tjerë.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por autoritetet e Turqisë e fajësojnë grupin ekstremist, Shteti Islamik.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pati thënë se militantët e Shtetit Islamik, nga ish-vendet sovjetike, kanë dorë në këtë sulm.
Mediet turke e kanë cituar një zyrtar të paemëruar qeveritar, që ka thënë se sulmuesit ishin të kombësisë ruse, uzbeke dhe kirgize.