Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, në një intervistë për “The Guardian” ka deklaruar se dëshmia e të arrestuarve për përpjekjen për grusht shtet me datën 15 korrik, sugjeron se i përfshirë në komplot është edhe Fethullah Gulen.
Ai ka theksuar se Turqia do të dërgojë kërkesë formale për ekstradimin e Fetullah Gulenit, kleriku që jeton në Shtetet e Bashkuara.
“Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të mira, miqësore dhe janë aleatë dhe partner strategjik për një kohë të gjatë dhe ne nuk besojmë që SHBA-të do të refuzojnë kërkesën tonë për t’i dalë në mbrojtje një udhëheqësi të një organizate terroriste,” tha Yildirim.
Ai vuri në dukje se Shtete e Bashkuara nuk janë të përfshira në grusht shtet, por meqë Gulen vazhdon të jetojë atje ‘njerëzit në Turqi kanë shtruar pyetje në mendjen e tyre se a ekziston ndonjë përfshirje e SHBA-ve’.
“Në këtë pikë, Shtete e Bashkuara duhet të mendojnë mirë nëse duan të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me Turqinë, e cila është një aleat strategjik për ta në rajon dhe botë”, tha Yildirim.
Turqia, anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s, i ofron qasje SHBA-ve në bazën ajrore Inçirlik, i cili është duke u përdor për sulmet kundër ISIS-it në Siri. /Insajderi.com