U arrestuan për keqpërdorim të pozitës, ish-Kryeinspektori Nikçi e zyrtari Shalaku vazhdojnë të marrin rrogë nga shteti - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    U arrestuan për keqpërdorim të pozitës, ish-Kryeinspektori Nikçi e zyrtari Shalaku vazhdojnë të marrin rrogë nga shteti

    Insajderi
    25 April 2025 - 19:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mars të këtij viti Hekuran Nikçi, ish-Kryeinspektori i caktuar me nënshkrim të Albin Kutit, ishte arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, por jo vetëm këtë krim. Bashkë me të u arrestua edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës.

    Ata ishin suspenduar e në vend të Nikçit u caktua në detyrë Rizah Plakolli. Insajderi dje ka raportuar se Këshilli i Pavarur për Shërbyesit Civil ka konstatuar se edhe ky zyrtar u emërua jashtëligjshëm nga Hekuran Murati, Ministër në detyrë i financave.

    Por, derisa Nikçi e Shalaku po vazhdojnë të hetohën nga Prokuroria, e zyrtarisht nuk kanë dalë në vendin e punës, kjo nuk e ka penguar Qeverinë e Kosovës që t’iu qes rrogë.

    Insajderi merr vesh që, që të dy, edhe Nikçi e edhe Shalaku kanë marrë edhe rrogat e muajit mars.

    Madje, Hekuran Nikçi, pasi që ishte caktuar edhe në disa angazhime të tjera sekondare nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, ka marrë në muajin mars edhe një rrogë sekondare, pos asaj primare.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur Rizah Plakollin se me çfarë baze e ka bërë këtë veprim, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Në këto pyetje i informuar është mbajtur nga Insajderi edhe Ministri në detyrë, Hekuran Murati, por as ai nuk ka dhënë përgjigje e as komentuar.

    Nikçi e mori pozitën si i pari i inspektoratit të punës, pra organit që duhej të ishte në shërbim të drejtësisë, por sipas dosjes së prokurorisë, as ai vetë nuk e kryente këtë detyrë siç duhet.

    Edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, ishin arrestuar.  

    Në dosjen e siguruar nga Insajderi, thuhej se ai kishte keqpërdorur autoritetin e tij, duke i ndryshuar F.K. pozitën e punës, madje duke mos i dhënë mundësinë as të paraqiste ankesë për vendimin e marrë kundërligjshëm nga Nikçi. Për këtë veprim, sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu, kur zëvendëskryeinspektori kishte vendosur që F.K. të kthehej në vendin e tij të punës, vend që e kishte ushtruar para vendimit të Nikçit, ky i fundit e kishte anuluar vendimin e zëvendësit të tij, Agim Millakut. Si pasojë, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

    Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar thuhet se është bërë nga ai, i cili kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore për F.K.

    Nikçi, po ashtu, akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë së paluajtshme që i ishte besuar për shkak të pozitës që ushtronte, për përdorim të vulave, dokumentacioneve dhe mjeteve të tjera të punës.

    Kujtojmë se Hekuran Nikçi, para arrestimit, kishte refuzuar të lirojë zyrën e tij, edhe pse vendimin e kundërligjshëm të Kurtit për emërimin e Nikçit, e kishin vërtetuar Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark