Insajderi
Hulumtime/Analiza

U gjobit nga Inspektorati i Tregut: Si u fut në telashe agjencia “WE Travel” dhe çfarë fshihet pas dënimit 3 mijë eurosh?

Insajderi
29 September 2026 - 15:24
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
U gjobit nga Inspektorati i Tregut: Si u fut në telashe agjencia “WE Travel” dhe çfarë fshihet pas dënimit 3 mijë eurosh?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Agjencia e udhëtimeve “WE Travel” Sh.P.K. është ndëshkuar me 3 mijë euro gjobë nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), pasi ka dështuar t’i bindet urdhrave zyrtarë dhe nuk ka paraqitur dëshmi lidhur me ankesën e një konsumatori.

Sipas vendimit të siguruar nga Insajderi përmes qasjes në dokumente publike (Vendimi me Nr. Ref. 19/26, i datës 12 qershor 2026), kontrolli nga inspektorët e tregut ishte iniciuar pas ankesës së konsumatores me inicialet E.K.

Ankesa ndërlidhej me pretendimet për ndryshimin e orarit të udhëtimit Prizren – Halkidiki më datë 30 prill 2026. Në procesverbalin e inspektimit nr. 01653, të datës 28 maj 2026, Inspektorati i kishte dhënë agjencisë një afat prej shtatë (7) ditësh pune për t’i rimbursuar mjetet e konsumatores ose për të prezantuar dëshmi dhe sqarime për rastin.

Pasi operatori ekonomik nuk e kishte dorëzuar dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar prej 7 ditësh pune, Inspektorati konstatoi shkelje të dispozitave ligjore në fuqi dhe shqiptoi gjobën prej 3,000 eurosh.

Pas ndëshkimit nga shteti, agjencia “WE Travel Sh.P.K.” është munduar ta minimizojë dënimin, duke e cilësuar atë si një “çështje thjesht procedurale”.


Drejtori i agjencisë “WE Travel Sh.P.K.”, Arian Strana, ka deklaruar për Insajderin se gjoba e shqiptuar është thjesht e natyrës procedurale dhe ndërlidhet me mosdorëzimin e dokumentacionit brenda afatit.

“Gjoba e përmendur është shqiptuar për shkak se përgjigjja dhe dokumentacioni ynë nuk i janë dorëzuar autoritetit brenda afatit të përcaktuar. Pra, bëhet fjalë për një çështje procedurale që lidhet me mosdorëzimin në kohë të sqarimit tonë dhe jo për një konstatim përfundimtar se WE Travel ka përvetësuar apo mbajtur në mënyrë të kundërligjshme mjetet e klientit”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Nga kompania sqarojnë po ashtu se çështja me klienten në fjalë tashmë është zgjidhur plotësisht dhe se ajo e ka tërhequr ankesën e saj përmes emailit drejtuar vetë Inspektoratit.

Lidhur me vendimin e IQMT-së, “WE Travel” bën të ditur se ka paraqitur padi pranë gjykatës kompetente për ta kontestuar atë.

“Kundër këtij vendimi kemi paraqitur padi pranë gjykatës kompetente, në të cilën i kemi argumentuar dhe dokumentuar plotësisht faktet dhe rrethanat e rastit. Për këtë arsye, ligjshmëria dhe vlefshmëria përfundimtare e vendimit aktualisht janë çështje që duhet të vlerësohen nga gjykata. Ne do ta respektojmë vendimin përfundimtar të saj”, deklaroi Strana për Insajderin.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark