×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    U harxhuan 4.4 milionë euro, pse po mbahet sekret kontrata e objektit të ambasadës në SHBA?

    Insajderi
    31 July 2023 - 11:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    4.4 milionë janë dalë nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për blerjen e një objekti të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kryerje të shërbimeve diplomatike atje. Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në adresë të MPJD-së për kontratën lidhur me objektin me fjalë përpara 11 ditësh, mirëpo të njëjtit nuk iu janë përgjigjur kërkesës. Të njëjtën kërkesë Insajderi ia ka parashtruar edhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, mirëpo të njëjtit kanë thënë se dëshmitë e punës së auditorëve janë konfidenciale.

    11 ditë më parë, Insajderi ka kërkuar qasje në ministrinë e diplomacisë në kontratën 4,4-milionëshe për objektin e ri të ambasadës kosovare në SHBA, e cila sipas auditorit është mbajtur e fshehur në raportin vjetor financiar të MPJD-së. Megjithatë, as pas 11 ditësh medium s’ka marrë asnjë përgjigje për të.

    Për të njëjtin rast, mediumi ka kërkuar qasje pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilët fillimisht kishin konfirmuar pranimin e kërkesës. Një javë më pas, nga auditori kanë thënë se dëshmitë e punës së auditorëve janë konfidenciale.

    “Ndërsa, sa i përket kërkesës tuaj për qasje në dokumente publike, përkatësisht dokumentacionin e auditimit duke përfshirë dëshmitë e punës së auditorëve, ato konsiderohen konfidenciale, sensitive dhe për rrjedhojë nuk janë të qasshme për publikun dhe shërbejnë vetëm për të kryer mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm dhe /ose për nevoja të autoriteteve të zbatimit të ligjit”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së.

    Auditori, megjithatë, ka bërë me dije se përgjatë analizimit të raportit të kontratave të nënshkruara nga MPJD-ja, nuk ishte i plotë pasi që nuk ishin prezantuar blerja e ambasadës së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Sipas tyre, identifikimi është bërë nga testimi i pagesave që ishin kryer për këtë ambasadë.

    Mbajtja e këtij objekti fshehti fillimisht u përmend në raportin vjetor financiar të ZKA-së për ministrinë e Donika Gërvallës. Sipas këtij raporti, në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara nga MPJD-ja nuk ishte paraqitur ky objekt me vlerë prej 4,463,860 eurosh.

    “Në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin 2022, nuk ishin paraqitur kontratat për blerjen e ambasadës në SHBA në vlerë 4,463,860€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    ZKA-ja tutje tërheq vrejtjen edhe për mos-paraqitje të blerjes së një veture për ambasadën në Britani të Madhe, në vlerë prej 50 mijë eurosh.

    Për ambasadorin e Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, është raportuar se ka shkelur Udhëzimin Administrativ për vlerat e lejuara për qira për objektet e banimit të të dërguarve diplomatikë në shtetet e huaja.

    Sipas raportimeve, ambasadori Dugolli paguante për qira mujore 3,743 euro, 1,343 euro më shumë sesa sa e lejonte udhëzimi administrativ.

    Ministrja Gërvalla asnjëherë nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje.

    Dy muaj më parë, ambasada e Kosovës në Washington të SHBA-së ka bërë të ditur se janë zhvendosur në një lokacion të ri. Insajderi s’ka arritur ta vërtetojë nëse objekti, që u publikua nga ambasada, është i njëjti që është blerë në vlerë prej 4,4 milionë euro. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark