Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar një person me inicialet S.B., nën dyshimin se ka kanosur gazetarin e portalit “Betimi për Drejtësi”, Betim Musliu.
Sipas njoftimit zyrtar nga Departamenti i Përgjithshëm, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, për shkak të veprës penale “Kanosja”.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari S.B. dyshohet se përmes rrjeteve sociale e kanosur gazetarin B.M., për shkak se në portalin ‘’Betimi për drejtësi’’ ishte publikuar monitorimi i një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në të cilën ishin përfshirë familjarët e të pandehurit S.B., në një çështje penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore ne përputhje me ligjin dhe mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhet në njoftim.