
Policia e Kosovës para katër ditësh e kishte shpallur në kërkim Veton Hoxhën, të birin e Beqir Hoxhës të njohur edhe si “i forti i Prizrenit, lidhur me veprën penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.
Insajderi merr vesh nga burime përbrenda hetuesisë së Prizrenit se i dyshuari është kapur sot përreth orës 15:30.
Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
Një plagosje me armë zjarri kishte ndodhur në fund të janarit rrugën “Transiti i Ri” në Prizren.
Insajderi kishte raportuar se Veton Hoxha ishte në arrati.
Kush është “Beqa”, i akuzuari për fajde?
Insajderi kishte raportuar për një dosje të gjatë ndaj “Beqës”, të akuzuar për fajde. Fajdja e tij kishte kamatë deri në 200 euro dita. Për gjashtë mijë euro borxh, fajdja e kishte trashur borxhin e viktimës në 78 mijë sosh.
Prokurori i shtetit, Petrit Kryeziu e kishte përshkruar në detaje këtë takim në aktakuzën që ka ngritur kundër Beqir Hoxhës, shqyrtimi fillestar i së cilës tash ka nisur në Gjykatën Themelore në Prizren.
Atë ditë, pasi që “Beqa” i kishte pranuar paratë në një situatë ku krejt takimi po incizohej, në ora 14:12 e 27 sekonda do të përfundonte në pranga. Paratë iu kishin kapur nga autoritetet kompetetne në xhep.
Për disa vite radhazi, një hua –borxh, që nisi me 6 mijë eurosh, me ndryshime të herë pas hershme të shumave do të arrinte në 78 mijë euro të kthyera nga viktima tek i akuzuari “Beqa”- krejt në emër të fajdeve.
Vetëm një ditë para se Prokurori Petrit Kryeziu të merrte vendimin për të ia vënë prangat “Beqës”, i akuzuar tash për fajde, viktima e tij, F.S. kishte shkuar në Prokurori. Kishte bërë një kallëzim penal, gojarisht, tek Prokurori.
Ai kishte rrëfyer para Prokurorit se në vitin 2018 nga “Beqa” mori shumën prej 3000 euro, pas 2 muaj sërish 2000 euro, por në vitin 2016 babai i tij Sh. S. nga i njëjti kishte marrë shumën prej 6000 euro.
“Për këtë shumë ka qenë në dijeni dhe ka qenë obligimi i tij për t’i kthyer sepse gjatë tërë kohës edhe pas vdekjes së babait të tij në vitin 2021 i kishte paguar personalisht ai. Që nga fillimi të hollat i kishin marrë me interes dhe për to kishin paguar kamata te Beqiri. Kamata për 6,000 euro, ka qenë që çdo muaj ti paguan nga 600 euro, ku vet i dëmtuari i kishte paguar këto të holla, menjëherë me rastin e dhënies së shumës prej 6,000 euro, i pandehuri i kishte ndalë 600 euro, pra babai fizikisht i kishte marrë 5,400euro, ku nga qershori i vitit 2016 deri në prill të vitit 2023 vazhdimisht ka paguar kamata prej 600 euro, për 6 vjet e 10 muaj, në total i bije që ka paguar interes 49,000 euro”, thuhet në aktakuzën kundër Beqir Hoxhës.
Hoxha ka qenë së paku katër herë i dënuar për vepra të ndryshme penale.
Ai kishte qenë i dënuar për veprën penale lëndim i lehtë truporë, lëndim i rëndë trupor, në rastin e tretë për lajmërim të rrejshëm dhe një herë për “Vepra të rënda kundër sigurisë së komunikacionit”.
Insajderi kishte raportuar se “Beqa” është familjar i ish-kryetarit të Gjykatës në Prizren, Ymer Hoxhës.
Lexo raportimet e Insajderit: