Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, ditën e sotme ishte viktimë e një kërcënimi virtual nga një qytetar. Për Gazetën Insajderi, Brahimi zbuloi se personi që e kërcënoi në telefon ishte Denis Idrizi. I njëjti duket se është penduar për veprimet që ka bërë.
Siç shpjegon Brahimi kompani “3- V- Idrizi” ka shkaktuar probleme të mëdha në qytetin e Mitrovicës dhe pas ankesave të qytetarëve, ka marrë masa ndaj kompanisë së personit që e kërcënoi.
Pronari i kompanisë “3-V-Idrizi”, Denis Idrizi edhe e kishte fyer në telefon Brahimin. Por, ishte penduar pastaj.
“Rasti është në polici t’u trajtu. Sipas informacioneve të zyrtarit hetues pala është penduar për veprimet që ka bërë – por kjo për mua është irelevante, nuk është çështje personale por e detyrave zyrtare” – bëri të ditur Brahimi.
Brahimi tregoi se u kanos nga Denis Idrizi, me pretendimet e këtij të fundit se do t’i shkonte në zyrë.
“Fillimisht ka thënë që ka me eliminu problemin por ka vazhdu me ankesa të njëjta dhe ne prapë e kemi kontaktu personin në fjalë me i thënë që nëse ti nuk vepron ne duhet me ekzekutuar një aktvendim që është faktikisht i ligjshëm. Në atë moment ai ka filluar me sha me kërcënu dhe ka thënë “pritëm në zyre pra se merremi vesh na ndryshe” – dhe me shamje” – tha ai.
Ndonëse po rrezikohet, ai theksoi se pavarësisht kërcënimeve, do të vazhdojnë ta kryejnë punën drejt, duke e zbatuar ligjin.
“Më shqetëson fakti që njerëzit ende nuk kanë arrit me kuptu se si funksionin ligji. Përndryshe, kërcënimet nuk na zmbrapsin prej qëllimit të mirë. Pavarësisht kërcënimeve vazhdojmë më zbatim të ligjit” – përfundoi ai.