Drejtuesi i njësisë administrative Kallmet, Besnik Simonaj që mbeti i plagosur një ditë më parë pas një sherri është arrestuar mëngjesin e sotëm.
41-vjeçari u përfshi në një debat me Altin Markun, që më pas i bëri pritë në rrugë duke e qëlluar me 3 plumba. Marku u arrestua ditën e djeshme, ndërsa sot Simonajt ju komunikua në spitalin e Traumës, aty ku ai po merr shërbimin mjekësor për plagët e mara, se ishte nën arrest. Prangosja e tij u bë për shkak se në vendngjarje u gjetën 12 gëzhoja, gjë që tregon se është dhe dikush tjetër që ka gjuajtur me armë. Ky person dyshihet se ka transportuar dhe Simonajn drejt spitalit.
Mes Simonajt dhe Markut ka pasur konflikte ta vazhdueshme. 1 vit më parë dyshohet se pas një konflikti verbal mes tyre Besnik Simonaj ka rrahur Altin Markun. Të premten, ata janë takuar sërish në zyrën e Simonajt ku kanë bërë debat. Motivi i konfliktit mes tyre nuk dihet, ndërsa hetimet do të zbardhin më tej se çfarë e shtyu Markun që t’i zinte pritë e ta qëllonte më pas në makinë administratorin e Kallmetit.
Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e “vrasjes më dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.