“U qëllua me plumb në qafë”- Gjykata ndan detaje tronditëse për vrasjen e Liridonës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “U qëllua me plumb në qafë”- Gjykata ndan detaje tronditëse për vrasjen e Liridonës

    Insajderi
    03 December 2023 - 12:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë në njoftimin për përcaktimin e masës së paraburgimit për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokollën jep detaje tronditëse për mënyrën se si dyshohet të jetë orkestruar vrasja e Liridona Ademajt.

    Sipas njoftimit të gjykatës, Naim Murseli dyshohet t’ia ketë dhënë armën Granit Plavës, ku i njëjti e ka privuar nga jeta duke i dhënë një plumb në qafë tashmë të ndjerës Liridona Ademajn., raporton Gazeta Insajderi.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes…”, thuhet në njoftim.

    “…ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, vijon njoftimi.

    Tre të dyshuarve të dielën i është vendosur masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Naim Murseli dyshohet për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje‘, Granit Plava për veprën penale ‘Vrasje e rëndë‘ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve‘ dhe i pandehuri Kushtrim Kokolla për shkak të veprës penale ‘Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë‘.

    Insajderi përgjatë së dielës ka raportuar ekskluzivisht nga Pallati i Drejtësisë, aty ku mbahej gjykimi për tre të dyshuarit. Artikujt prej ngjarjeve atje mund t’i gjeni më poshtë:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark